28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore Lajme nga vendi

Alumil dhe të tjerët duhet ta kuptojnë; koha e shfrytëzimit barbar të punës ka përfunduar

Punëtorët e firmës Alumil kanë dalë në protestë kolektive për pagat dhe kushtet e punës. Sipas tyre, kompania nuk rrit rrogat prej vitesh ndërkohë që kushtet e punës janë të vështira. Disa prej punëtorëve deklaruan para kamerave të televizionit MCN se shumica e tyre paguhen me pagë minimale, rreth 40 mijë lekë në muaj.

Në vitin 2021, aksionerët e Alumil në Qipro realizuan një fitim neto pas taksave mbi 1.2 milionë euro. Njëkohësisht kompania është në një pozicion shumë të fortë financiar Aktivet e saj vitin e kaluar ishin mbi 20 milionë euro, ndërsa detyrimet totale më pak se 2 milionë euro. Me pak fjalë, Alumil ka 10 herë më shumë kapital se sa detyrime.

Pyetja shtrohet se pse një kompani me financa kaq të shëndosha kërkon akoma të shfrytëzojë krahun e punës në këtë mënyrë? Përgjigja më logjike duke trashëgimia.

Për shumë vite, kapitali në Shqipëri ka qenë dukshëm superior mbi punën. Niveli i lartë i papunësisë e mbante peshoren e fuqisë negociuese të anuar në krahun e bizneseve. Deri dekadën e kaluar, menaxherët e burimeve njerëzore në kompanitë shqiptare ishin shndërruar praktikisht në zotër. Të gjithë e mbajnë mend formulën e famshme të rekrutimit; na dorëzo CV-në se po na u desh do të të marrin në telefon. Por tani era ka ndryshuar.

Për shkak të emigracionit, rënies së lindshmërisë dhe plakjes së shpejtë të popullsisë, tregu i punës në Shqipëri është shtrënguar në mënyrë të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Tashmë bizneset shqiptare duhet ta kuptojnë se kjo do të vazhdojë edhe për shumë kohë. Zhvillimet demografike do të vazhdojnë të imponojnë një treg të shtrënguar pune dhe në horizont nuk ka asnjë faktor që mund të sinjalizojë kthimin e këtij trendi.

Përpjekjet për balancimin e tregut përmes importimit të krahut të punës nga jashtë janë të kota. Shqipëria nuk ka mundësi të tërheqë punonjës nga jashtë as në shkallaren e lartë të aftësive, as në atë të ultën.

Tani kompanitë shqiptare kanë vetëm dy zgjidhje. Ose të ndryshojnë raportet e shpërndarjes së përfitimeve mes kapitalit dhe punës ose të shkojnë drejt fundit të pashmangshëm. Kohët e shfrytëzimit të krahut të punës në Shqipëri kanë përfunduar. Punonjësit e Alumil dhe shumë kompanive të tjera duhet ta dinë. Sot ata janë në pozita shumë më të fuqishme negociuese përballë punëdhënësve të tyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *