Klodian Tomorri
“Set a thief to catch a thief” është një proverb amerikan, i cili nënkupton se personi më i mirë për të kapur një kriminel është po një kriminel. Llogjika pas proverbit është e thjeshtë. Një person i pandershëm e ka më të lehtë të mendojë se si do të veprojë një tjetër person i pandershëm. Kjo më erdhi në mend kur Edi Rama nxorri dy copa letre në twitterin e tij duke njoftuar shkarkimin e Bledi Çuçit si ministër i Brendshëm dhe emërimin e Taulant Ballës në këtë post.
Në gjithë elitën drejtuese të maxhorancës socialiste, Taulant Balla është ndoshta një nga njerëzit me të ekspozuar dhe më të përfolur për lidhje me bandat apo krimin e organizuar. Kohë më parë në media u publikua fakti se kreu i grupit Parlamentar të socialistëve ishte kapur gabimisht në përgjime me bandat e Elbasanit. Por pasi oficerët e policisë gjyqësore dhe prokurorët transkriptuan 50 orët e përgjimeve, kuptuan se kishin hapur kutinë e Pandorës. Prokuroria iu drejtua me kërkesë urgjente gjykatës, e cila urdhëroi shkatërrimin e përgjimeve.
Në fund të vitit të kaluar, Ardian Çapja, lëshoi një deklaratë bombë në gjykatë për masakrën e 3 shkurtit të vitit 2016 në Elbasan. “Politikani me emrin Taulant më ka marrë në telefon dhe më ka ofruar ndihmë, por unë nuk i kam kërkuar asgjë. Emrin e tij të plotë nuk e përmënd sepse më rrezikohet familja,” deklaroi Çapja në sallën e gjyqit.
Madje, dëshmia e tij kishte akuza edhe më të forta, duke e lidhur dhe vrasjen e avokatit Ravik Gurra me politikanin Taulant. “Politika në Elbasan është e lidhur me krimin. Nisini hetimet që aty. Hap hetimin e Ravikut, aty ke gjithë të vërtetën. Prokurorit Ridvan Suka i kam bërë kallëzim për moshetimin e ngjarjeve. Unë i kam vajtur në zyrë dhe i kam kërkuar që të zbardhë ngjarjen e 2016, por ai ka heshtur dhe shkak ka qenë përgjimi i politikanit Taulant” ka thënë Çapja në sallën e gjyqit.
Dyshimet ishin se bëhej fjalë për Taulant Ballën, ish drejtues politik i Partisë Socialiste në Elbasan, që tashmë do të jetë ministri i ri i Brendshëm. Këto dyshime u forcuan edhe më shumë kur u publikua numri i telefonit në përgjim, i cili përputhej plotësisht me numrin e Taulant Ballës. I akuzuar vazhdimisht për lidhje me krimin, zoti Balla i ka mohuar gjithmonë akuzat.
Akuzat e Çapjas mbetën vetëm në letrat e gjykatës. Por Taulant Balla do të mpleksej prapë me drejtësinë. Disa muaj më parë SPAK sekuestroi telefonin e drejtorit të Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara në ministrinë e Brendshme, Endri Mullai dhe këshilltarit të Taulant Ballës, Eraldo Xhani. Sekuestrimet erdhën në kuadër të një hetimi për tenderat e blerjes së ushqimeve për burgjet. Tenderi me vlerë mbi 2 milionë euro ishte fituar nga kompania e Gentian Sharrës dhe SPAK kishte indicie të forta se kontrata ishte dhënë me korrupsion.
Sekuestrimi i telefonave nuk i shuajti dyshimet e prokurorëve. Përkundrazi, i forcoi më tej ato. Një muaj më parë, Taulant Balla u thirr në SPAK. Ndonëse pasi doli nga ndërtesa e SPAK, Balla deklaroi se ishte thirrur për kallëzimin që kishte bërë ndaj Sali Berishës për privatizimin e kompleksit Partizani, ky ishte një mashtrim. Tre burime të pavarura i thanë Oligarkia.al se Balla u thirr për t’u marrë në pyetje në lidhje me hetimet për tenderin e Gentian Sharrës. Prokurorët kishin gjetur në celularin e Eraldo Xhanit, mesazhe të cilat detyruan prokurorët të thërrisnin Taulant Ballën për t’u marrë në pyetje. Hetimi për tenderat e ushqimeve të burgosurve vazhdon dhe telefonat e Eraldo Xhanit dhe Endri Mullait qëndrojnë të sekuestruar në SPAK.
Edi Rama është në dijeni të të gjitha këtyre fakteve. Por kjo nuk e pengoi atë që të propozojë Taulant Ballën për postin e ministrit të Brendshëm. Kjo lëvizje e Ramës ka lënë të habitur edhe shumë figura të lartë brenda vet maxhorancës. Pse kryeministri vendosi t’i besojë postin e ministrit të Brendshëm një personi me background kaq problematik? Këtë përgjigje sot nuk e di askush. Por dy janë versionet që fliten nën rrogoz brenda maxhorancës.
Ose situata në Fushë Krujë ka dalë totalisht jashtë kontrollit dhe tani Edi Rama po vepron sipas parimit “vendos hajdutin për të kapur hajdutin” ose kjo lëvizje ishte për ta shpëtuar Taulant Ballën nga hetimet e SPAK. Në çdo rast, shqiptarët tashmë kanë ministër të brendshëm një nga zyrtarët më të akuzuar për lidhje me krimin. Këtë standard nuk e kanë as vendet më të kriminalizuara në botë. Prova e radhës se Partia Socialiste është qelbur aq shumë nga pushteti, saqë nuk prodhon dot më normalitet, por vetëm rekorde negative.