28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Miliardat e paracaktuara për shokët e ministrave

Dy muaj më parë Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizime Elbasan shpalli një tender me vlerë 703.7 milionë lekë ose 6.7 milionë euro me objekt ““Rikonstruksion dhe ndërtim i rrjetit të kanalizimeve të zonave informale: Harmës; pjesërisht Krastë e Vogël, pjesërisht Lagjja: Dyli Haxhire” dhe, pjesërisht Lagjja: Katund i Ri.”

Kur tenderi u shpall në Agjencinë e Prokurimeve Publike, Oligarkia.al publikoi një shqetësim nga disa kompani ndërtimi se tenderi ishte paracaktuar. Në kapitullin e kritereve të veçanta të kualifikimit ishin vendosur kritere, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me objektin e tenderit.

Fjala vjen kërkohej që kompanitë të kishin sondë shpimi, kur i vetmi gërrmim në kontratë ishte hapja e një kanali maksimumi 1.5 metër të thellë. Po ashtu kërkohej që kompanitë të kishin 39 lloje makinerish, të përcaktuara në detaje nga kapaciteti deri tek tonazhi që duhet të peshonin si dhe dhjetra punonjës pa asnjë lidhje me objektin e prokurimit.

Kriteret e qepura me porosi e bënë punën. Në kontratën me vlerë 6.7 milionë euro u paraqitën vetëm dy oferta. Pesë ditë më parë, Shoqëria e Ujësjellës Kanalizimeve shpalli dhe fituesin. Ai ishte bashkimi i shoqërive “METEO” sh.p.k, “TOTILA” shpk  dhe “ALBA KONSTRUKSION.”

Ky bashkim operatorësh ofroi vlerën 697.1 milionë lekë ose sa 99.1 për qind e fondit limit. Oferta tjetër ishte rreth 700 mijë euro më e ulët, por Ujësjellës Kanalizimet e Elbasanit e skualifikuan atë dhe shpallën fituese ofertën e bashkimit të operatorëve të përfaqësuar nga Meteo shpk.  

Ky i kanalizimeve të Elbasanit është një nga shembujt e shumtë se si tenderat në Shqipëri nuk kanë më garë. Ata paracaktohen për ata që paguajnë apo për miqtë e pushtetarëve.

Meteo shpk është një kompani me qendër në Gramsh që zotërohet nga Eral Myftaraj. E themeluar në vitin 2012, ajo është shndërruar në një nga përfitueset më të mëdha të fondeve publike, veçanërisht në institucionet lokale të Elbasanit, por jo vetëm. Lidhjet e saj janë të forta edhe në Tiranë.

Në media, Eral Myftaraj është akuzuar si njeri i afërt me ministrin e brendshëm tashmë të shkarkuar Bledi Çuçi. Këto akuza u përforcuan në fund të vitit të kaluar nga një ngjarje tragjike.

Në dhjetor të vitit 2022, një punonjës u aksidentua teksa punonte në fshatin Papër të Elbasanit. Ardian Salla u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës në gjendje shumë të rëndë për jetën. Salla punonte për kompaninë Meteo shpk dhe ishte i pasiguruar.  

Ngjarja u mbajt e fshehur nga policia dhe do të mbetej ashtu nëse lajmi nuk do të rridhte në media. Megjithatë edhe pse aksidenti ishte i rëndë dhe vepra penale evidente për shkak se bëhej fjalë për aksidentimin e një punonjësi të pasiguruar ndaj kompanisë nuk u morr asnjë masë. Përkundrazi. Meteo shpk vazhdon të bëjë biznes si më parë me fondet publike duke fituar kontrata me vlerë mbi 99 për qind të fondit limit. Sepse në tendera nuk ka garë, por vetëm farsa të paracaktuara nga korrupsioni dhe miqësia me qeveritarët. Kurse qytetarët vetëm paguajnë miliardat për kontratat me çmime të fryra.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *