28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

I gjithë profesionalizmi i një dosje

Në dosjen hetimore kundër Arben Ahmetajt, SPAK shkruan:

Akuzë e SPAK:

Në lidhje me koncesionin e inceneratorit të Elbasanit, personi nën hetim Arben Ahmetaj, nëpërmjet vartësit të tij, të ndjerit … ka kontribuar në dhënien e koncesionit në kundërshtim me kuadrin ligjor, pasi nuk mund të zbatohej procedura me negocim të drejtëpërdrejt.

Fakt:

Ligji 9000 datë 30.01.2003 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit të Ministrave”, neni 9 pikat c dhe ç:

Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë ka këto kompetenca;

  1. c) kthen, në bazë të argumenteve ligjore, projektaktet e paraqitura për shqyrtim, kur ato bien në kundërshtim me Kushtetutën ose me ligjin;

ç) i parashtron Kryeministrit përputhshmërinë e projektakteve të propozuara me legjislacionin në fuqi dhe me programin politik të Këshillit të Ministrave;

Pra, ligji ngarkon me përgjegjësi Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë për të ndalur miratimin e vendimeve që bien në kundërshtim me ligjin. Por akuza i bëhet ministrit e Ekonomisë.

Akuza e SPAK:

“Në lidhje me procedurën e koncesionit të inceneratorit të Fierit, personi nën hetim Arben Ahmetaj si ministër i zhvillimit ekonomik ka ndërmarrë nisma ligjore me qëllimin e vetëm për të forcuar rolin e tij në procedurat koncesionare. Është propozuar dhe në vijim miratuar, që propozuesit të pakërkuar t’i jepej bonus, ku i është dhënë bonusi një shoqërie të lidhur me shtetasit Sokol Meqemeja, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri”

Fakt:

Vendimi për dhënien e bonusit shoqërisë Builiding Construction & Green Energy është miratuar nga qeveria në 4 maj të vitit 2016. Në vendim thuhet:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe ligjit “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave vendosi dhënien e bonusit 10 pikë shoqërisë Builiding Construction & Green Energy.

Pra, bonusi është dhënë nga Këshilli i Ministrave me propozimin e ministrisë së Mjedisit. Por në dosje duket sikur e ka propozuar dhe e ka dhënë ministria e Ekonomisë.

Akuza e SPAK:

Personi nën hetim Arben Ahmetaj është shprehur parimisht dakord për mbështetjen financiare të inceneratorit të Fierit, por duke PRETENDUAR se duhet të vlerësoheshin me prioritet  kostot buxhetore, risqet, të përllogariten plotësisht brenda tavanit buxhetor, të merrej miratimi i MEI për kontratën e energjisë, të merrej miratimi i njësive vendore që përfshihen në këtë projekt etj etj.  

Ka një praktikë që ndodh rëndom në mediat shqiptare. Është ardhja e titullit nga lart. Pronari i medias sjell titullin dhe gazetarët duhet të dalin në terren ta ndërtojnë lajmin sipas titullit që ka bërë pronari. Një marrëzi shqiptare. Dhe kur vjen titulli nga lart gazetari duhet të përdorë si këto fjalitë kështu, duke pretenduar, duke bërë gjasmë, etj etj.

Miliona euro taksapaguesish të shpenzuara për ngritur një drejtësi të pavarur dhe profesionale përfundojnë kështu. Lajm me titull nga lart. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *