Kur të gjithë pyesin ku ndodhet Arben Ahmetaj, ish zv/kryeministri ka reaguar për emisionin Opinion në Tv Klan. Gazetari Blendi Fevziu ka lexuar një mesazh të Ahmetajt, pasi i kërkuan që të ndërhynte në një lidhje direkte për emisionin. Në mesazhin e tij, ish ministri i Financave, te cilin SPAK kerkon ta arrestoje thotë se do të shfaqet kur e vërteta të ketë marrë rrugë.
“Do dal kur ju të lexoni dosjen, do dal kur ju të tregoni që akuzohem se kam pasur njohje e shoqëri me një njeri që në atë kohë ka qenë njeri normal dhe në punët e veta. Do dal kur të lexoni që akuzohem për korrupsion se ish-gruaja ime ka shitur metra katrorë në treg të lirë. Do dal kur të kuptohet që bashkëjetuesja ime dhe familja e saj ka blerë me transaksione të pastër bankar një pronë. Do dal kur të kuptoni dhe lexoni dhe faktoni se Klodian Zoto s’ka qenë kurrë po kurrë pronar i asaj prone që të ishte në gjendje që ta falte apo dhuronte. Do dal kur të lexoni gjithë letrat e mia në favor të interesit publik si ato që shyqyr që dolën sot. Do dal kur e vërteta të ketë marrë rrugë. Do dal kur ju të bëni pyetje të vërtetë se ku ka favorizuar Arben Ahmetaj. Do dal kur të kuptoni që s’kam pasur asnjë lidhje me procedurën. Atëherë do dal. Do dal kur të lexoni se ato biseda të 2012 janë komplet impotente në aspektin e lobimit apo favorizimit aq më tepër në opozitë,” shkruan Ahmetaj në mesazhin e lexuar nga Blendi Fevziu në Opinion.
Për ish-zv/Kryeministrin Arben Ahmetaj, SPAK kërkon arrestimin e tij për 3 akuza në lidhje me inceneratorët. Të premten, Parlamenti do të zhvillojë seancën për të votuar ose jo heqjen e imunitetit të Ahmetajt, që do t’i hapte rrugë arrestimit nga SPAK. Avokatët e deputetit Ahmetaj kanë konfirmuar që ky i fundit ndodhet jashtë Shqipërisë.