Gazetari Elvi Fundo, zbuloi në një intervistë për emisionin “Review” në Euronews Albania, dokumentet e dorëzuara prej tij në SPAK në lidhje me çështjen e inceneratorëve.
Fundo tha se pas daljes në një emsion televiziv, ku publikoi dokumente në lidhje me çështjen e inceneratorëve, në zyrën e tij kanë mbërritur hetuesit e SPAK të cilët i kanë kërkuar dorëzimin e dokumenteve.
Ai shtoi se ka dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme materiale që nuk kanë të bëjnë me dosjen Ahmetaj, por me inceneratorin e Tiranës.
Për shkak se kishte firmosur një deklaratë që të ruante sekretin hetimor, ai zgjodhi të mos jepte shumë detaje.
“Më është kërkuar me një kërkesë dorëzimi i materialeve që kam publikuar në një emision televiziv.
Janë paraqitur dy oficerë të SPAK, dashamirës dhe me etikë dhe me mjaft profesionalizëm më kërkuan dokumentet. I vendosa në dispozicion dokumentet që publikova në “Opinion”.
Dokumentet që kam dorëzuar unë nuk kanë lidhje me çështjen Ahmetaj, se dosja Ahmetaj është dosje më vete dhe dosja e inceneratorëve është dosje më vete. Dosja e Elbasanit është më vete, ajo e Fierit më vete, por unë kam dorëzuar dokumentet për Tiranën. Dokumente që lidheshin me e-maile, shitje blerjesh aksione të kompanive dhe që nuk është marrë leje nga qeveria shqiptare”, tha Fundo./