28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Rikthehet tenderi i famshëm i Pyllit Orbital dhe nis sërish lufta

Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit ka rihapur tenderin famoz për blerje pemësh dhe shkurresh dekorative për pyllin orbital të Tiranës, por këtë herë me një fond dhe sasi më të vogël se sa herën e kaluar.

Sipas dokumentave, tenderi është hapur në datën 6 korrik, por këtë radhë fondi limit i tij, është përcaktuar 59.5 milionë lekë, ndërsa sasia e pemëve që kërkohen të blihen është më e ulët se sa ajo që u tentua në fund të vitit të kaluar.

Edhe këtë herë tenderi është ankimuar menjëherë në Agjencinë e Prokurimit Publik sërish nga kompania Albgarden. Përmes një ankese të depozituar në Komisionin e Prokurimit, Albgarden pretendon se dokumentat e tenderit përmbajnë gabime trashanike, ndërsa kriteret e vendosura në të janë abuzive, duke përfshirë kushtin që kompania fituese duhet të ketë në staf inxhinierë me përvojë 5 vjeçare.

Kjo është hera e dytë, që Drejtoria e Pastrim Gjelbërimit tenton të blejë pemë dekorative për pyllin orbital të Tiranës. Për herë të parë, tenderi u shpall në fund të vitit të kaluar, me fond limit 300 milionë lekë ose gati 3 milionë euro.

Por ai u ankimua tre herë rresht nga kompania Albgarden dhe në të tre rastet, Komisioni i Prokurimit Publik i dha të drejtë asaj. Pas kthimit 3 herë të tenderit, KPP vendosi ta bllokojë tenderin për shkak të kritereve në kundërshtim me ligjin të vendosura nga autoriteti kontraktor.

Në vendimin përfundimtar, KPP u shpreh se përmes kritereve DPPGJ kishte kufizuar konkurrencën dhe më konkretisht në lidhjen që bëhet mes blerjes së pemëve dhe bimëve të tjera dhe mbjelljes së tyre.

Këto kushte kërkonin që një kompani të jetë njëkohësisht dhe furnitore, por po ashtu të kishte të angazhuar edhe 150 punonjës për hapjen e gropave, shkuljen e pllakave dhe mbjelljen e të paktën 1058 pemëve, çka bën që pjesë e procedurës të jenë shumë pak subjekte.

Pas bllokimit nga KPP në fund të vitit të kaluar, Drejtoria e Përgjithshme e Pastrim Gjelbërimit e ka rihapur sërish tenderin, edhe pse këtë herë me një fond më të ulët. Por edhe këtë radhë ka nisur sërish beteja mes saj dhe kompanisë Albgarden. Një luftë nga e cila deri më tani ka dalë fituese kompania.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *