Në datën 21 shtator 2017, në orën 09: 28, një avokat me emrin Floran Pustina nis një email me titull Klodi, Flonja pls check”. Sipas SPAK, në të njëjtën datë Klodian Zoto i përcjell email Alqi Bllakos me titull “Vendimi i Këshillit Bashkiak.” Bashkalidhur emailit ishte vendimi i Këshillit Bashkiak, ku parashtrohet se me propozim të Ministrisë së Mjedisit, këshilli miraton angazhimin financiar të Bashkisë për pagesat e inceneratorit të Tiranës.
Floran Pustina është një nga dy pronarët e studios avokatore Tashko-Pustina. Për herë të parë, emri i kësaj studio do të dilte në publik në vitin 2015. Në atë kohë, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet në Bashkinë Tiranë, Partia Demokratike akuzoi kandidatin e Partisë Socialiste për kryerat bashkie, Erjon Veliajn, se bashkëshortja e tij ishte përfshirë në çështjen Beçhetti.
Studio Tashko Pustina kishte qenë studio ligjore e Francesco Becchettit. Por Veliaj i hodhi poshtë akuzat. Përmes një deklaratë zyrtare, zyra e shtypit të Veliajt tha se bashkëshortja e tij nuk kishte qenë kurrë avokate e Beçhettit.
“Ajola Xoxa në harkun kohor 2012-2014 ka punuar si juriste e asociuar pranë studios ligjore Tashko-Pustina. Theksojmë se zonja Xoxa nuk ka qenë në asnjë moment personalisht përfaqësuese ligjore për Franchesco Bechettin, apo për ndonjë prej kompanive të tij”, thuhej në deklaratë.
Ndërsa akuzat e PD-së në fushatën elektorale të 2015, ishin pjesë e luftës politike, emri i studios Tashko Pustina do të dilte sërish në skenë në një tjetër çështje të madhe. Bëhet fjalë për privatizimin e parkut kombëtar të Butrintit. Tashko Pustina ishte studioja që hartoi marrëveshjen e Parkut të Butrintit. Por nuk mbaroi këtu.
Flonja Borici, ortakja tjetër e studios “Tashko-Pustina” pasi hartoi marrëveshjen dhe pasi shkroi ligjin që ja dha Butrintin fondacionit të ngritur për këtë qëllim, papritur u emërua në Bordin e Drejtorëve te Fondacionit.
Bordi ka 5 persona në përbërje dhe do të kushtoje 140 mijë dollarë në vit. Pra zonja Borici, e cila beri ligjin per t’ia kaluar parkun e Butrinit fondacionit të ngritur për këtë qëllim, do të marrë 28 mijë euro në vit nga fondacioni.
Italianët kanë një proverb; “nuk ka dy pa tre”. Pra një gjë që ndodh dy herë ka shumë gjasa që të përsëritet sërish. Dhe ashtu ndodhi.
Tashko-Pustina doli sërish në skenë. Këtë herë në dosjen hetimore të inceneratorit të Tiranës. Një nga pronarët e saj ka shkëmbyer emaile dokumentash zyrtarë, të cilët SPAK i lidh me pronarët e inceneratorëve. Në këtë pikë shtrohet një pyetje. Nga buron fuqia e saj për të patur akses në shkresat e shtetit? Dhe pyetja tjetër, ndoshta edhe më e rëndësishme. Beçhetti, Butrinti, Inceneratorët. Rastësi?