28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Eksportuesit akuzojnë Bankën e Shqipërisë se po saboton ekonominë

Bizneset eksportuese kanë sulmuar Bankën e Shqipërisë se po saboton ekonominë kombëtare, jo vetëm duke mos ndërhyrë për të stabilizuar kursin e këmbimit, por edhe duke mos bërë transparencë me atë që ka ndodhur.

“Banka e Shqipërisë jo vetëm që nuk ka treguar ndonjë rol për të stabilizuar tregun e këmbimit valutor por ka refuzuar për të bërë transparencë për përmbushjen e detyrave ligjore që ka lidhur me ecurinë e këmbimit valutor për të shpjeguar me statistika e të dhëna të kuptueshme se çfarë ka ndodhur që po mbiçmohet monedha vendase në Shqipëri ndryshe nga kudo në Europë, çfarë projeksioni dhe perspektivë ka kjo çështje. Nuk ka asnjë shpjegim zyrtar nga banka e Shqipërisë,” deklaroi Alban Zusi, kryetari i Shoqatës së Eksprtuesve.

Sipas tij, mjerisht ekspertë, këshilltarë ekonomikë të institucioneve qendrore e publike në të cilët është diskutuar katastrofa ekonomike për shkak të mbiçmimit të pakontrolluar dhe pashpjegueshëm të lekut nuk kanë vetëdije tëplotë mbi rëndësinë e situatës dhe dimensionet e pasojave ekonomike dhe sociale që mund të prodhojë ende në vijim kjo situatë.

Shoqata e eksportuesve u bënë bashkë këtë të martë për të paralajmëruar institucionet se industria e eksportit po shkon drejt falimentimit të sigurtë.

“Pas disa takimeve të pafrytshme me institucionet , jemi këtu sot për të deklaruar publikisht se bizneset eksportuese por edhe ato prodhuese janë në limitet e rezistencës ekonomike e financiare të tyre,” deklaroi Zusi.

Shoqata e fasonistëve deklaroi se ky biznes po humbet mesatarisht 900 milionë lekë në muaj për shkak të kursit të këmbimit.

“Industria më e prekur është ajo e bimëve mjekësore, pasi 100% te kostot e prodhimit i ka në lekë, ndërsa të ardhurat në euro dhe dollarë,” u shpreh Edvin Premçi

Eksportuesit paralajmëruan protesta përballë injorimit të kërkesave të tyre për ndihmë nga autoritetet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *