28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Një punë e mirë dhe një bravo e detyruar

Një ditë më parë Ministria e Energjisë zhvilloi ankandin për ndërtimin e parqeve eolike me kapacitet total 222.6 mega vat orë. Në fund të ankandit, u shpallën fituese tre bashkime kompanish, të cilat ofruan të ndërtonin 3 parqe eolike me paratë e tyre, dhe gjysmën e energjisë së prodhuar nga to t’ia shesin shtetit me çmim mesatar 64.5 euro.

Gjigandi francez Total Eren në bashkëpunim me shqiptaren KMV do të ndërtojnë një park ere me kapacitet 75 megavat. Gjysma e energjisë së prodhuar nga ky park do t‘i shitet shtetit me çmimin 44.88 euro për mega vat.

Konsorciumi i udhëhequr nga turkja Guris Insaat ka ofruar të ndërtojë një park ere me kapacitet po 75 mega. Gjysma e energjisë së prodhuar nga ky park do t’i shitet shtetit me çmimin 74 euro për mega vat.

Gjigandi austriak Verbund do të ndërtojë një park me kapacitet 72.6 mega. Gjysmën e energjisë së prodhuar prej tij do ta marrë shteti me çmimin 74.95 euro për mega.

Kompanitë do të blejnë vetë tokën nga privatët, pra nuk e marrin nga shteti. Do të ndërtojnë parqet eolike me paratë e tyre dhe kanë detyrimin që gjysmën e energjisë që do të prodhohet nga to, t’ia shesin shtetit shqiptar me çmim të leverdisshëm. Pra në total shteti përfiton 111.3 mega kapacitet të instaluar me çmim 64.5 euro për mega.

Kjo është një punë e mirë. Dhe kjo është dëshmia se kur punët bëhen pa korrupsion ai që fiton është interesi publik.

Por ankandi i parqeve eolike konfirmon edhe diçka tjetër. Sa herë në procedurat prokurimi lejohen të marrin pjesë kompanitë serioze ndërkombëtare, mundësia për korrupsion ulet ndjeshëm. Sepse ndryshe nga ajo që ndodh me oligarkët vendas, zyrtarët e kanë të vështirë të bëjnë pazare me kompanitë e mëdha ndërkombëtare. Ankandi i parqeve diellore në Spitallë dhe Karavasta, ku ishte gjigandi francez Voltalia, po ashtu është një tregues tjetër.

Shqetësimi i vetëm në këtë pikë është, që parqet të mos dëmtojnë tokën bujqësore, të cilën Shqipëria e ka të kufizuar. Kështu që sado paradoks të duket, në këtë rast ka një Bravo të detyruar. Por nje bravo qe nuk thuhet dot tek tenderat apo koncesionet korruptive te rrugeve qe u ndahen oligarkeve matrapaze apo per hekurishtet e ankoruara ne Gjirin e Vlores. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *