28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

FONDET IPARD/ Dy biznesmenët e njohur shqiptarë i morën për bujqësi por i investuan në vilat private në Dhërmi

Rreth 40 ekspertë pritet të vijnë në Shqipëri për të verifikuar destinacionin e fondeve të programit IPARD.

Brukseli njoftoi pak ditë më parë Shqipërinë për ndërprerjen e këtyre fondeve, pas një raporti të Zyrës Europiane kundër Mashtrimit, OLAF, institucion që heton dyshimet për abuzime me fondet e Bashkimit Europian.

Hetimet trevjeçare të OLAF nxitën Komisionin Evropian që të pezullonte në mesin e korrikut programin më të rëndësishëm të ndihmës për bujqësinë në Shqipëri, për shkak të dyshimeve për korrupsion.

“Disa projekte të financuara si pjesë e programit IPARD II u gjetën me parregullsi, të tilla si krijimi artificial i kushteve për të përfituar grante më të larta, lidhje të paligjshme ndërmjet ofertuesve, çmime të fryra, mosmbajtja e dokumentacionit origjinal, investime të ndërtuar në një vend të ndryshëm nga kontrata e grantit, oferta false etj,” shkruhet në letrën e Komisionit Europian për qeverinë shqiptare.

 

DITA mësoi se dy nga projektet më problematike i përkasin rivierës shqiptare konkretisht në Dhërmi dhe Ksamil.

Në rastin e Dhërmiut, fondet që në letra rezultojnë për bujqësinë kanë shkuar për ndërtime vilash private. Në krye të këtij mashtrimi të hetuar nga OLAF janë dy biznesmenë të njohur. Të përfshirë janë dhe dy analistë të medias, që kanë përfituar vila në zonë.

Një tjetër projekt me devijime të rënda është zhvilluar në Ksamil, nga dy shtetas të huaj.

Në qershor 2020, OLAF angazhoi edhe prokurorinë e posaçme, përmes një informacioni dhe kërkese për hetim të fondeve të IPARD II.

Çështja u regjistrua fillimisht në SPAK dhe hetimet u ndoqën nga prokurori Klodian Braho. Por dy vjet pas regjistrimit të procedimit penal, SPAK shpalli moskompetencën./DITA

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *