28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

A duhet sistemi shëndetësor në Shqipëri të vrasë njerëz për shkak se spitalet publike nuk i ofrojnë dot disa shërbime?

U desh ngjarja e një personazhi të njohur që shqiptarët të mësonin se sistemi shëndetësor publik nuk e ofron shërbimin e kirurgjisë, që trajton isheminë celebrale. Aktualisht ky shërbim në Shqipëri ofrohet vetëm nga sistemi privat.

Ndërhyrja për të trajtuar këtë lloj sëmundje mund të jetë shumë e kushtueshme duke arritur deri në 20 mijë euro. Kjo i ka vendosur pacientët që preken në një kurth pa zgjidhje.

Nga njëra anë qeveria nuk e ofron shërbimin në spitalet publike. Nga ana tjetër nuk merr përsipër financimin e pacientëve në qendrat private që e ofrojnë shërbimin. Rezultati? Dënim me vdekje pa gjyq i pacientëve që nuk kanë mundësi ta paguajnë ndërhyrjen.

Një ditë më parë, shqiptarët u solidarizuan masivisht me aktorin e njohur Genc Fuga duke iu përgjigjur në kohë rekord thirrjes së familjes së tij për të ndihmuar në financimin e ndërhyrjes. Por në këtë pikë natyrshëm shtrohet pyetja. Ccfarë ndodh me ata dhjetra pacientë të tjerë, nuk e kanë këtë profil publik. Kush e garanton të drejtën e tyre për të jetuar?

Përgjigja është e qartë. Askush. Ata i dënon qeveria me vdekje.

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht Shqipëria ka rreth 50 raste të tilla në vit. Të gjithë këta sot mund ta marrin këtë shërbim vetëm tek privati dhe vetëm duke paguar nga xhepi i tyre. Nëse nuk kanë të paguajnë, përfundimi është i qartë.

Mënyra se si një sistem shëndetësor e ofron një shërbim të caktuar është në finale një ccështje menaxheriale. Nëse spitaleve publike nuk u del leverdia të investojnë në aparaturat e nevojshme për ta ofruar këtë shërbim për shkak të numrit të ulët të rasteve, buxheti publik ka detyrimin të financojë pacientët që të kenë mundësi ta paguajnë atë në qendrat private ku ai ofrohet.

Por qeveria, kurrsesi nuk mund të lajë duart dhe të dënojë më vdekje, ata që shërbimin nuk mundet ta paguajnë dot. Aq më tepër një qeveri, e cila bërtet se ka rilindur shëndetësinë.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *