28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Përplasja për Portin e Durrësit, APD nxjerr me forcë gjermanët për t’i liruar terrenet Alabbarit

Mëngjesin e së shtunës, rreth orës 07.30, në terminalin lindor që kompania EMS e ka marrë me koncesion 35-vjeçar kanë ndërhyrë efektivë të Forcës së Sigurisë dhe mjetë të rënda të një kompanie private.

Florian Çimo, menaxher tregtar i kompanisë EMS, e konsideron arbitrar veprimin e Autoritetit Portual Durrës, pasi kompanisë i është pezulluar procesi i ngarkim shkarkimit.

“Në mëngjes, punonjësit e terminalit na njoftojnë me urgjencë, që mjete private, të paautorizuara, kanë hyrë në terminal të shoqëruara nga forcat e sigurisë të APD, sikurse edhe drejtori ekzekutiv i APD, duke vendosur blloqe betoni dhe duke kufizuar një pjesë të terminalit ku ne operojmë. këto janë veprime me forcë, në mënyrë arbitrare”,– tha Çimo për “DurrësLajm”.

Çimo mohon të jenë vënë në dijeni paraprakisht për këtë ndërhyrje me forcë në terminal, që po i shkakton dëm ekonomik kompanisë EMS.

“Dje, në orën 16.15 kemi marrë një email nga drejtori juridik i APD-së, ku na njofton mbi ndryshime në administrimin e territorit të Autoritetit Portual Durrës, por në asnjë mënyrë nuk shpjegonte se do të ndërhyhet tek terminali.

Tani që flasim peshoret janë të bllokuara janë në terminal forca të shumta të sigurisë portuale, të cilat nuk japin asnjë sqarim dhe sot në mëngjes më kanë penguar edhe mua, që jam një nga përfaqësuesit kryesorë të terminalit të shkoj në zyrë, sepse rruga ishte e bllokuar nga blloqet e betonit”,- theksoi Çimo.

Ndërhyrja në terminalin lindor mund të jetë hapi i parë për vënien në zbatim të projektit për ndërtimin e marinës turistike, investim ky i kompanisë Eagle Hills Real Estate Development, që përfaqëson në investim biznesmenin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar. Ndërkohë, kjo ndërhyrje realizohet ditë të shtunë, që presupozohet se është ditë pushimi për administratën shtetërore.

“Duhet të pyesni APD pse këto veprime arbitrare i ka ndërmarrë ditën e shtunë në mëngjes dhe për çfarë arsye është duke e marrë një zonë të koncesionit jo në rrugë ligjore, por me forcë”, thotë Çimo.

Në terminalin lindor realizohet prej 15 vitesh procesi i ngarkim-shkarkimit të mallrave rifuxho. Kompania EMS nuk ka dijeni se edhe përsa kohë do të vijojë të ushtrojë aktivitetin tregtar në port, pavarësisht se ka një kontratë koncecionare 35-vjeçare me shtetin shqiptar.

Por pas akuzave të EMS ka reaguar Autoriteti Portual Durrës, duke akuzuar kompaninë gjermane për intimidim përmes deklaratave në media.

“Autoriteti Portual Durrës shpreh indinjatën e thellë dhe dënon me forcë qëndrimet tërësisht abuzive të përfaqësuesve të koncesionarit EMS-APO në disa media kombëtare, në përpjekjen për të intimiduar dhe penguar zbatimin e planeve të sigurisë dhe të administrimit portual në Portin e Durrësit.”,- shkruhet në reagimin e APD.

Sipas APD, nuk është cënuar në asnjë moment kontrata e nënshkruar mes palëve, ndërkohë që kompania që menaxhon terminalin ka vijuar punën normalisht.

“Nënvijëzojmë faktin se institucionet shtetërore në asnjë moment nuk kanë cënuar gëzimin e qetë dhe të plotë të kontratës nga ana e EMS-APO, dhe as veprimtarinë e saj operacionale, por kanë kërkuar ushtrimin e të drejtës së kalimit për të aksesuar në sipërfaqe të një kantieri për zhvillim të miratuar me Ligj nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Përtej pretendimeve të pavërteta të shoqërisë EMS-APO, Autoriteti Portual ka marrë masat e nevojshme për vijimësinë e aktivitetit ditor të të gjitha terminaleve portuale, përfshirë dhe terminalin lindor, duke përmirësuar planet e sigurisë dhe planet e rregullimit të brendshëm të qarkullimit në port. Duke konsideruar fluksin e madh të pasagjerëve dhe mallrave që përpunohen në Durrës në këtë periudhë, është sigurisht e nevojshme që të ketë rritje të masave të sigurisë, masa për të cilat janë informuar përfaqësuesit e shoqërisë koncesionare.

Për më tepër është lehtësisht e vërtetueshme se aktiviteti i përpunimit të mallrave në Terminalin Lindor ka vijuar sot normalisht dhe pa pengesa, ku janë ngarkuar 14.000 tonë mall krom. Fakt ky i vërtetuar me pamje nga dronët tanë të cilët monitorojnë mbarëvajtjen e proceseve, si dhe nga pamjet satelitore të disponueshme nga ASIG..”

Duket se konflikti i nisur mes APD dhe EMS nuk do të mbyllet me kaq, pasi palët mesa duket kërcënojnë njëra-tjetrën me vendime gjyqësore dhe prishje të kontratës.

“Ndodhur në këto kushte, dhe pavarësisht vullnetit të mirë të autoriteteve shtetërore, është evident fakti se EMS-APO vijon të dëshmojë një mungesë të plotë vullneti për të bashkëpunuar me institucionet përkatëse si dhe ka ndërmarrë veprime të qëllimshme me synim përfitime nga vendime gjyqësore eventuale.

Për më tepër, në kushtet ku, gjatë aktivitetit koncesionar janë konstatuar në mënyrë të përsëritur një numër i gjatë shkeljesh të parashikimeve kontraktore, qendrimet dhe veprimet e sotme penguese nga shoqëria EMS-APO e bëjnë atë një subjekt aspakt të besueshëm për zhvillimin e sektorit portual në Shqipëri.”,- shkruhet në reagimin e APD-së.

Burimi: durreslajm.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *