Irena Beqiraj
Në të vitit 1963, në të ashtuquajturën Grabitja e Madhe , Bruce Reynolds dhe banda e tij prej 16 vetësh grabitën nga Posta Mbretërore Britanike 2.6 milionë paund. Në termat e sotëm, kjo shumë është rreth 60 milionë , ose 3.75 milionë paund për kokë.
Banda u mbështet në informacione të brendshme dhe bëri një planifikim të kujdesshëm për të kryer grabitjen.Për fatin e keq te milionerëve e rinj, policia gjeti strehën e tyre pas grabitjes dhe dënoi shumicën e tyre. Drejtuesit e grupit u denuan 30 vjet burg.
Grabitja e Madhe është një shembull klasik i paligjshëm i transferimit të vlerës . Ndërsa oferta argëtuese e krijuar pas “Grabitjes së Madhe”përmes filmave, apo librave përfaqëson krijimin e vlerës.
Fatkeqësisht , në ekonominë tonë transferimi i vlerës i ligjshëm ose jo është qasja e zakonshme që ka vrarë krijimin e saj .
Transferimi i vlerës mund të marrë formën e pagesave për pensionistët. Ngritja e një kafeneje përballë një kafeneje tjetër po ashtu është transferim vlerash. Transferimi i vlerës merr edhe formën e konkurrencës midis kompanive që përpiqen të kapin pjesën më të madhe të tregut përmes marketingut ose formave te tjera, në vend që të krijojne diçka krejtësisht të ndryshme për konsumatorët.
Nisma Shqipëria 1 euro, të drejtat koncensionare monopolistike , trajtimi preferencial për të ashtuquajturit investitorë strategjikë, infrastruktura publike e bërë me porosi , janë po ashtu shembuj të tranferimit të vlerës , të cilat nuk tentojnë të zgjerojnë tregun,apo të përmirësojnë shërbimin edhe produktin , ato thjesht e përqendrojnë pjesën më të madhe të tregut edhe te vlerës në duar të disa kompanive apo individëve.
Në 30 vitet e politik-bërjes ekonomike në Shqipëri u krijuan, struktura nxitëse ‘të njëanshme’, për tranferimin e vlerës edhe përqendrimin e saj në një grusht kompanish që njohën rritje, edhe pasurim te menjëhershëm pa krijuar asnje vlerë shtesë per konsumatorin , por duke e rritur fitimet gjatë procesit të transferimit të saj në dëm të shoqërisë.
Për më tepër sot është e dukshme si drita e diellit që ky grusht kompanish e pronarët e tyre, na kanë qeverisur realisht .Pavarësisht emrit të kryeministrit apo ministrave, qeveritë tona zgjodhën të mbijetojnë duke lubrifikuar përmirësuar, apo sofistikuar mekanizmin e trasferimit të vlerës, pa krijuar vlerë.
Të pafuqishëm për të ndryshuar qasje, ka ardhur koha të bëjmë filma e të shkruajmë libra për ta përshkruar këtë mekanizëm . Kështu të paktën mund të krijojmë dicka, ndërkohë i japim kuptim dhe justifikimit ” këto ndodhin edhe nëpër filma “