Tregu i karburanteve regjistroi rritje rekord të xhiros vitin e kaluar për shkak të çmimeve stratosferike të naftës dhe benzinës. Katër kompanitë më të mëdha të tregut; Kastrati, Gega, Europetrol dhe Bolv Oil arkëtuan së bashku 168.6 miliardë lekë (1.61 miliardë euro) në vitin 2022 me një rritje prej mbi 50 për qind krahasuar më një vit më parë për shkak të rritjes rekord të çmimit të karburanteve.
Por pavarësisht të ardhurave rekord, shumë prej kompanive të tregtimit të karburanteve kanë deklaruar humbje të mëdha në bilancet e tyre fiskale, për shkak të shpenzimeve më të larta për blerjen e naftës.
Kastrati Group, kompania më e madhe e tregtimit të karburanteve në vend, deklaroi një humbje prej 1 miliardë e 16 milionë lekësh në vitin 2022. Edhe pse të ardhurat totale të grupit arritën në 93.1 miliardë lekë duke u rritur me 52.5 për qind krahasuar me një vit më parë, kjo nuk ka mjaftuar për ta mbyllur vitin me një rezultat pozitiv financiar. Kjo pasi rritja e të ardhurave është shoqëruar me me rritjen e shpenzimeve për lëndët e para, por edhe kostot e tjera operative.
Në vitin 2021, Kastrati Group regjistroi një fitim neto pas taksave në masën 4.8 miliardë lekë. Por pjesa dërrmuese e këtyre fitimeve erdhën kryesisht nga dividentët e aeroportit të Rinasit, i cili për vitin 2021 ishte nën ombrellën e Kastrati Group, ndërsa vitin e kaluar u transferua tek kompania Kastrati Aviation Holding.
Kompania e dytë më e madhe e tregtimit të karburanteve në vend, Gega Oil Group, regjistroi një bilanc më pozitiv. Sipas pasqyrave të deklaruar në Tatime, Gega Oil raportoi një xhiro prej 44.2 miliardë lekë dhe një fitim neto pas taksjave në masën 148.3 milionë lekë gjatë vitit të kaluar.
Europetrol e Frident Kuqit raportoi 18.8 miliardë lekë të ardhura dhe një fitim minimal prej 44 milionë lekësh vitin e kaluar. Ndërsa Bolv Oil, arkëtoi 12.3 miliardë lekë, por regjistroi një humbje prej 173.5 milionë lekësh për vitin 2022.
Faktori “bord”
Përgjatë gjithë vitit të kaluar kompanitë e tregtimit të karburanteve në Shqipëri kanë operuar në regjimin e Bordit të ngritur nga qeveria për kontrollin e çmimit të naftës dhe benzinës në vend, pas situatës së jashtëzakonshme të krijuar nga lufta në Ukrainë.
Kompanitë e naftës e kanë kundërshtuar fuqishëm ngritjen e bordit, i cili sipas tyre diktonte çmime më të ulëta se sa kostot. Por nga ana tjetër kritikët, dhe veçanërisht opozita e kanë sulmuar bordin si një mekanizëm për të cilit qeveria në bashkëpunim me oligarkët e naftës vodhi qytetarët.
A janë bilancet negative që kompanitë e tregtimit të karburanteve kanë raportuar për vitin e kaluar, një konfirmim se bordi ka diktuar me të vërtetë çmime më të ulëta shitje së kostoja? Apo kompanitë e kanë shfrytëzuar këtë situatë për të raportuar tregues më të perkeqësuar financiarë? Kjo është një përgjigje që mund ta japin vetëm Tatimet.