27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore Lajme nga vendi

Pushteti që përfundoi i varur në kullë

Klodian Tomorri

Në 1 tetor të vitit të kaluar, Edi Rama dhe Erjon Veliaj u mbinë shqiptarëve për 1 orë e gjysmë rresht para televizorit. Këta të dy ishin anëtarët e një jurie me 6 vetë që do të përzgjidhnin qëndrën e re multifunksionale të Tiranës. Katër anëtarët e tjerë ishin arkitektët Pablo Bofill, Stefano Boeri, Filippo Innocenti dhe Freek Persyn. Me pak fjalë një juri e përbërë me koka botërore dhe shqiptare.

I gjithë aktiviteti u transmetua live nga shumica e mediave në vend. Veçanërisht ato afër qeverisë. Dhe të gjithë shqiptarët e mësuan se pas Teatrit të Operas do të ngrihej një kullë 200 metra e lartë. Por në atë kohë, fakti se qendrës së Tiranës po i ngulej një kullë e re, nuk shqetësoi askënd.

Ashtu siç nuk shqetëson sot kulla 60 kate, që po ngrihet tek rruga e Kavajës, ajo që po ndërtohet mbi tokën publike tek ish Dhoma e Tregtisë, tjetra po mbi tokë publike tek parkingu pas ish Teatrit Kombëtar, mallet me kulla që janë ngritur në parkun e liqenit dhe përbindëshat 50 katësh që po bëhen gati në zemër Bllokut. Nuk u shqetësua as shoqëria civile dhe as mediat, të cilat sot po thonë se kulla është e Sali Berishës. Ndoshta atëherë, nuk e dinin se kulla për të cilën thonin se është diamanti në gjerdanin e Tiranës, ishte diamanti i Xenit. Mbase Mbase.

Por sikur të mos mjaftonte kjo, në 8 mars të këtij viti Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen e kullës së përzgjedhur në konkursin e tetorit. Oligarkia.al ishte media e vetme që raportoi lejen dhe goditi vendimin për të shtuar një tjetër përbindësh betoni ne qëndrën e betonizuar të kryeqytetit. (Lexo këtu).

Ishte vetëm dy muaj para zgjedhjeve lokale. Tirana kishte hyrë në fazën më të nxehtë të fushatës, por as atëherë leja nuk i bëri përshtypje askujt. Mirë Saliut se e paska patur kullën e Xenit, por për çudi nuk u shqetësua as pjesa tjetër e opozitës dhe madje as forcat e reja politike. Por koherenca pak rëndësi ka.

Politikisht beteja për kullat në Tiranë ka marrë fund në 14 maj. Belind Këlliçi u zotua publikisht në fushatë se nuk do të lejonte më ndërtim kullash në qendër të Tiranës, ndërsa Erjon Veliaj deklaroi se kullat ishin të domosdoshme për të ndryshuar fytyrën e kryeqytetit dhe për të kursyer tokën, që ajo e ka me pakicë. Qyetarët e dhanë vendimin. Veliaj mori 58 mijë e ca vota më shumë. Belua iku në shtëpi, demokracia funksionoi.

Nga ana tjetër edhe beteja për kullën në fjalë tashmë është e mbyllur. Aty ka një marrëdhënie private mes ndërtuesve dhe pronarëve të truallit për zhvillim. Marrëveshja është çertifikuar nga qeveria dhe bashkia, të cilat kanë firmosur lejen e ndërtimit. Tashmë ngritjen e kullës Mount Tirana nuk e ndal më asgjë. Ose edhe nëse dikush do të guxojë ta ndalë, Agim Zeqo me Ilir Shtufin si ndërtuesit e kullës dhe bashkë me ta edhe pronarët e truallit do të marrin dëmshpërblimin deri në qindarkën e fundit për fitimet e munguara, një e drejtë e pakundërshtueshme që u buron nga leja e ndërtimit me firmën e Edi Ramës. Dhe ato qindra milionë euro do t’i paguajnë qytetarët.

E megjithatë këtu nuk është më halli i interesit publik. Se interesi publik aty ka humbur tashmë, që në momentin që Edi Rama vuri firmën mbi lejen e ndërtimit. Por kjo është një betejë, që bëhet për një tjetër hall.

Mazhoranca është zhytur thellë në kënetën e madhe korruptive të inceneratorëve. Dhe tani po kërkon të varet tek kulla, që firmosi vetë për të shpëtuar nga mbytja. Ah meqë ra fjala. Nuk është vetëm kulla që Rama i ka dhënë Saliut për ta blerë. Sot i zgjati dhe koncesionin e markimit Xenit. Se kështu thoshte dikur, që markimi është koncesioni i Xenit. Por prisni se lajmin për këtë nuk e kanë bërë gati akoma.

Por diçka duhet pranuar. Kjo tymnaja e kullës ishte një kryvepër e propagandës dhe “spin doktorllëkut” në rang global. Për herë të parë në histori, fajin nuk e kishte qeveria që firmosi, por opozita.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *