27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

CNA: E vërteta për kullën në qendër dhe histeria kolektive e rrjeteve sociale

Një subjekt privat ka shkuar dhe po bën rrethimin tek ajo që quhet lulishte, tek ish-disko “Albania” apo prapa Teatrit të Operas dhe Baletit.

Dikur një gropë e Hajdin Sejdisë, u fol se do të ndërtohej një hotel i madh, u dha pas viteve ’90, por ajo gropë u kthye në një vatër prostitucioni, një gropë me ujë të pisët që kundërmonte gjithë dynjanë.

Në vitin 2005, me ardhjen e Sali Berishës në pushtet merret një vendim, gropa do të mbulohet sërish.

Do të mbyllet sepse ishte vatër sëmundjesh, ujërash të zeza, çdo pisllëku të mundshëm dhe ishte kthyer në një kosh të madh plehrash ku nëpër vrimat e tij, ushtrohej edhe prostitucion i neveritshëm.

Çfarë ndodhi?

Kjo “WC” e madhe publike në qendër të Tiranës, me një urdhër të atëhershëm u mbulua brenda pak ditëve me mjete të shtuara nga subjektet e ndërtimit, të cilat ishin duke hapur apo ishin duke punuar në kryeqytet.

Në atë kohë Sali Berisha, në një deklaratë të tij publike, tha se gropa duhej mbyllur sepse jo thjeshtë dhe vetëm ishte një turp në qendër të Tiranës, por rrezikonte dhe jetën e njerëzve.

U kundërshtua nga opozita, u kundërshtua nga Edi Rama duke thënë se nuk duhej të kryhej asnjë akt sepse kjo ishte një pronë private, nuk duhej të tjetërsohej, ndërhyrje në punët e bashkisë, nuk duhej të bëhej një park, duhej të shpronësohej e të tjera si këto.

Reagim i mëtejshëm i Berishës ishte saktësimi i gjithçkaje që do të ndodhte. Berisha në atë kohë tha se është e vërtetë që ajo është një pronë private, kthyer ish-pronarëve me dokumenta të rregullta sipas ligjit, por gropa do të mbulohet përkohësisht.

Ajo pronë apo truall, nuk do të ketë statusin ligjor të një lulishteje, por do të kryhet mbushja me dhe që të mos rrezikohet jeta e njerëzve dhe ambienti të jetë normal. Pasi pronarët të sigurojnë investitorët e duhur, lejet e duhura, atëherë kjo pronë mund të zhvillohet sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi.

Për të gjithë histerinë publike, apo të për të gjithë ata që bëjnë sikur kanë harruar, ajo pronë në qendër të Tiranës, për ata që nuk e dinë është pronë private.

Ekziston si lulishte, është e vërtetë, por është një nga pronat e para private në kryeqytet, kthyer me letra ish-pronarëve.

U bë lulishte e përkohshme për të mbuluar gropën e lënë nga Hajdin Sejdia, i cili nuk mundi dot të siguronte financimin për ndërtimin e hotelit të famshëm “Hilton” apo çfarë projekti kishte ai.

Këtë e di gjithë Tirana që ajo është një pronë private, që ajo do të zhvillohej, që atje do të kishte ndërtime në momentin që do të siguroheshin financimet.

Nuk gëzon statusin e një lulishteje siç e gëzon po themi Parku Rinia në Tiranë.

Që shteti t’a bëjë lulishte duhet që ta shpronësojë por shpronësimi i pronarëve atje kushton me qindra miliona euro për shkak të vlerës së projekteve përkatëse që ka pasur për zhvillimin.

Në rast se shteti do të hynte në shpronësim gjatë kohës që ishte Hajdin Sejdia, duhej të dëmshpërblente për projektin e tij, i cili ishte miratuar më parë. E në rast se shkon sot, sërish duhet të dëmshpërblejë pronarët apo ata që kanë kërkuar leje zhvillimi të pronës së tyre, për ta lënë park siç pretendojnë shumë qytetarë të Tiranës.

Ajo që ka ndodhur në të vërtetë është kthim prone, zhvillim prone dhe asnjëherë nuk ka gëzuar statusin e lulishtes.

Kush e do lulishte duhet t’i kërkojë qeverisë ta shpronësojë me qindra milliona euro.

Lavazh truri, heqim vëmendjen nga afera e inceneratorëve

Në fakt, histeria për një kullë apo ndërtimin e saj tek ish-gropa e Hajdin Sejdisë, ështëdhënë me komandë dhe ka filluar thjeshtë dhe vetëm për shkak të skandalit të inceneratorëve.

Shërbimin po e bëjnë media dhe rrjete sociale të kontrolluara nga Rilindja dhe kryesisht nga godina në qendër të Tiranës, që është afër ish-gropës, dhe komandohet nga pulti i kryebashkiakut Erion Veliaj.

Vëmendja çohet te një kullë ku pretendohet se do hidhen 100 milionë euro, për të tërhequr vëmendjen nga afera e inceneratorëve, ku nuk pretendohet, por SPAK ka provuar se është abuzuar me dhjetëra miliona euro, nuk janë investuar 130 milionë euro dhe afera mund të shkonte deri në 750 milionë euro.

Shikojini këto media për të kuptuar cila nga ato reagon për inceneratorët, cila nga ato ka folur për inceneratorët, për aferën e shekullit dhe në mënyrë abuzive për të tërhequr vëmendjen, për të krijuar një histeri në rrjetet sociale, ka filluar flet për një kullë që është në pronën e pronarëve dhe zhvillohet sipas ligjeve me lejet përkatëse që iu takon trashëgimtarëve të asaj prone.

Histeria publike është thjeshtë dhe vetëm për të tërhequr vëmendjen , është thjeshtë dhe vetëm një mashtrim i madh.

Ajo lulishte, ajo zonë, nuk ka qënë kurrë një park apo një lulishte me status ligjor, por ka qenë pronë e kthyer ish-pronarëve dhe një gropë e madhe e kthyer në një “WC” publike që është marrë, është mbushur dhe është gjelbëruar përkohësisht, derisa pronarët të gjenin investitorët për projektet e tyre.

Kjo është e vërteta e asaj prone.

Të gjitha të tjerat janë llogje, histeri publike, gjoba dhe shantazhe ndaj investitorëve, pronarëve të cilët lejet i kanë marrë shumë kohë më parë, por gjithçka fillon si histeri tani, kur skandali dhe afera e inceneratorëve kanë tronditur themelet e pushtetit të kryeministrit, kryebashkiakut dhe gjithë Rilindjes./ CNA.al

Shkrimi është ekskluziv i CNA.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *