29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Lërini faturat e idiotëve, por firmosni marrëveshjen e pensioneve

il Riformista

Italia dhe Shqipëria, shqiptarët dhe italianët, “dy popuj, një det, një miqësi” recitonte një nismë kulturore disa vite më parë. Një nga të shumtat, të cilat pas vitit 1991 kanë parë shqiptarët e Italisë dhe një numër në rritje italianësh të përfshirë në rizbulimin e Shqipërisë duke forcuar lidhjet historiko-kulturore midis dy brigjeve, të pluhurosura nga 50 vjet mbyllje hermetike të Tokës së Shqiponjave me pjesën tjetër të botës.

“Bindja e miqve italianë për të kaluar pushimet në Shqipëri ishte gjithçka veç e lehtë. Për vite me radhë një shprehje e mosbesimit të maskuar përshkruhej në fytyrat e tyre, por ne këmbëngulëm dhe sot muri i mosbesimit është fshirë nga një valë prej rreth 500,000 italianësh që i kanë kaluar këto pushime verore përtej detit,” rrëfen i intervistuar nga shumë TV kryeministri shqiptar Edi Rama.

Dhe shqiptarët e Italisë – pionierë në përpjekjen për të shembur murin – buzëqeshin duke u këshilluar nga miqtë italianë se ku të hanë apo të qëndrojnë në Shqipëri, vende që shpesh në fakt ata vetë nuk i njohin më, pasi kanë kaluar 30 vitet e fundit duke punuar në fabrika, në kantiere, në familje italiane.

Më pak kohë për të kaluar në vendin e tyre të origjinës dhe ankth në rritje për të ardhmen e tyre. Po, sepse shumica e tyre shohin që kontributet e paguara gjatë viteve të punës dhe sakrificat të zhduken ndërsa i afrohen pensionit.

Në fakt, ende nuk ka një marrëveshje mes Italisë dhe Shqipërisë që lejon mbledhjen e periudhave të kontributeve, duke njohur kështu të drejtën e pensionit për gratë dhe burrat që kanë punuar në të dy vendet. Në këtë situatë gjenden shumica e shqiptarëve që emigruan në Itali në vitet 1990-2000, por edhe një numër në rritje i italianëve që shkojnë për të punuar në Shqipëri.

Ja pse duke parë pamjet tashmë të famshme të kryeministrave Giorgia Meloni dhe Edi Rama mes një ndalese freskuese në lokal dhe një udhëtimi me motobarkë në ujërat e kristalta të Vlorës dhe Dhërmiut, qytetarët italo-shqiptarë shpresojnë se ndër temat e diskutuara atje ishte dhe ajo e nënshkrimit përfundimtar të marrëveshjes së pensioneve mes dy vendeve, rrugëdalja nga harresa e pritjes në të cilën ndodhen prej më shumë se një viti, apo që kur delegacionet e Italisë dhe Shqipërisë kanë nënshkruar draftin përfundimtar në Tiranë.

Ngërçi
Jemi në korrik të vitit 2022 dhe nënshkrimi vjen pas një beteje të gjatë mes shoqatave dhe aktivistëve, pasuar nga votimi favorizues i parlamentit italian për amendamentin Nannicini që miraton një fond specifik për këtë marrëveshje në ligjin e Buxhetit.

Marrëveshja dukej thuajse e përfunduar: mungontë nënshkrimi i qeverisë Draghi në një tekst tashmë të përcaktuar dhe nënshkruar nga delegacionet e dy qeverive dhe ratifikimi i Parlamentit që kishte vendosur tashmë të votonte amendamentin Nannicini.

Por deri më sot asnjë nga këto hapa nuk është ndërmarrë dhe komunitetet italo-shqiptare të dy vendeve presin që qeveria e re Meloni dhe Parlamenti i ri të kujdeset përfundimisht për ta.

Ndërkohë që prej datës 1 janar 2023, fondi i pensioneve ka qenë i disponueshëm siç parashikohet në buxhet, por asnjë nga ata që e kanë të drejtën nuk mund ta përdorë atë në mungesë të firmës përfundimtare të Melonit dhe Ramës apo kujtdo që ata delegojnë.

Takimi i ngrohtë i gushtit mes dy kryeministrave, i cili dominoi mediat e të dy vendeve, ka ringjallur shpresën se procesi më në fund mund të zhbllokohet.

“Motra e Shqipërisë, vëllai i Italisë”, ka postuar Edi Rama i entuziazmuar për lidhjen e re me Giorgia Melonin. “Do të të pres në Itali”, ia ktheu ajo duke e falënderuar për pritjen.

“Mbroni vëllazërinë duke nënshkruar marrëveshjen!”- është një nga komentet më të përhapura në postimin e Ramës dhe Melonit, ndërsa qytetarët shpresojnë se e drejta e tyre për pension mund të ketë pasur të njëjtën vëmendje gjatë takimit të dy kryeministrave si fatura e papaguar nga grupi i turistëve në Berat.

Me shpresën se ambasadori italian, pasi ka paguar atë, do të jetë në gjendje të nënshkruajë, me delegacion nga Kryeministri, edhe tekstin e marrëveshjes që tashmë është miratuar nga Shqipëria.

Titulli është i redaksisë. Titulli origjinal: Aksi Itali-Shqipëri, pas faturës së restorantit ka një më të madhë për t’u shqetësuar; mungon marrëveshja e pensioneve

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *