27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Shqipëria propozon aleancën e sektorit privat për ndihmat humanitare

Shqipëria, e cila mban presidencën e Këshillit të Sigurimit këtë muaj, po planifikon të nisë një platformë, që të përfshijë sektorin privat për të punuar me organizatën botërore në ofrimin e ndihmës humanitare, sipas Përfaqësuesit të Përhershëm të vendit, Ferit Hoxha.

Ai tha të premten se Ministrja e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka do të njoftojë krijimin e Aleancës Humanitare të Sektorit Privat gjatë një debati të hapur të Këshillit, i cili do të marrë informacione nga Eric Schmidt, ish-CEO i Google dhe kryetar ekzekutiv i Alphabet, dhe CEO i MasterCard Michael Miebach se si korporatat e mëdha mund të punojnë me OKB-në.

Aleanca do të jetë një platformë për korporatat e mëdha “për të mobilizuar burimet dhe për të pasur një urë lidhëse me sistemin aktual të OKB-së dhe partnerët ndërkombëtarë për dhënien e ndihmës”, tha ai në një konferencë shtypi pasi mori presidencën e rradhës të Këshillit.

Ky do të jetë një zgjerim i sektorit të ndihmës humanitare të përpjekjeve të OKB-së për të shfrytëzuar burimet masive të sektorit privat për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të promovuar Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG).

Hoxha tha se aktualisht Kësholli i Sigurimit përballet shpesh me “situatën e pafat kur nevojat nuk plotësohen, pasi burimet nuk mjaftojnë dhe kur njerëzit në nevojë fatkeqësisht nuk ndihmohen.” Për këtë arsye sipas tij, Shqipëria donte të provonte një qasje të re.

Edhe pse OKB-ja ka bërë “punët më fantastike dhe fisnike”, burimet e saj janë të kufizuara dhe “ne duhet të zgjerojmë realisht rrezen e kontributeve”, tha Hoxha.

Ai tha se Shqipëria ka punuar me anëtarë të tjerë të Këshillit dhe sektorin e korporatave për të parë se çfarë mund të bëhet për të përmirësuar dhënien e ndihmës.

“Korporatat e mëdha, të cilat kemi kontaktuar, thanë se ndërsa donin të mblidhnin fonde dhe të jepnin kontribute në natyrë, nuk dinin se me kë të kontaktonin apo si t’i drejtonin,” deklaroi Hoxha.

Aleanca do t’u sigurojë atyre një platformë ku ata mund të koordinojnë pjesëmarrjen në aktivitetet humanitare të OKB-së, tha ai.

Ferit Hoxha tha se priste që rreth 15 drejtues të korporatave të mëdha të ishin të pranishëm kur të bëhen konferencat dhe të lançohet zyrtarisht Aleanca.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *