Ministria e Drejtësisë parashikon që brenda vitit të ardhshëm të ketë gati legjislacionin e duhur për të bërë të mundur procesin e rekuperimit të aseteve të krimit e korrupsionit. Më tej këto ndryshime do të bëjnë të mundur një vit më pas, në 2025, edhe ngritjen e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve si njësi e specializuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Këto ndryshime janë paralajmëruar në dokumentin e Masave Prioritare të Politikave në fushën e shtetit të së drejtës të sapo bërë publike nga Ministria e Drejtësisë.
Në dokument, përcaktohet edhe funksionalizimi i plotë i Sistemit të Menaxhimit të Rasteve për Praktikat Korruptive brenda vitit 2024. Po ashtu. Parashikohet fuqizimi i BKH-së përmes rekrutimit të oficerëve të Policisë Gjyqësore, duke përfshirë ngritjen e një njësie efektive të përgjimit parandalues, njësisë së vlerësimit të rrezikut dhe njësisë së bashkëpunimit ndërkombëtar funksional brenda vitit 2025.
Më tej parashikohet rritja e numrit të aksesit dhe ndërveprimit në bazat e të dhënave për SPAK, prokuroritë dhe BKH brenda vitit 2025, si dhe forcimi i kapaciteteve të SPAK dhe BKH për të kryer hetime më proaktive për parandalimin, gjurmimin, zbulimin dhe sulmin e grupeve kriminale të përfshira në akte kriminale të korrupsionit, krimit financiar dhe krimit të organizuar, brenda vitit 2030.
Ngritja e kapaciteteve për shkëmbimin e informacionit dhe zhvillimin e operacioneve të ndërsjellta me agjencitë ligjzbatuese, në nivel rajonal dhe me partnerë ndërkombëtarë, brenda vitit 2030.
Në dokument parashikohet gjithashtu edhe fuqizimi i Drejtorisë së Përgjithshme Kundër Korrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë për rritjen e kapaciteteve të hetimit administrativ dhe punës operacionale në lidhje me fushat e ndjeshme ndaj korrupsionit brenda vitit 2025.
Scan TV