28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Sterilizimi ‘djeg’ drejtoreshën e spitalit të Traumës, KLSH: Të shkarkohet menjëherë Edlira Bode

Nga Syri.net

Drejtoresha e spitalit të Traumës, Edlira Bode, duket se është përfshirë në abuzimin me koncesionarin e Sterilizimit pasi sipas KLSH, ka kryer të paktën 10 shkelje në zbatimin e kontratës me privatin dhe i ka shkaktuar Buxhetit të shtetit rreth 23 milionë lekë dëme.

Audituesit e KLSH kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të drejtoreshës së spitalit të Traumës, pasi ka paguar me buxhetin e spitalit, faturat e energjisë, të ujit dhe qiranë e koncensionarit “Sani Servis” kur në fakt duhet të paguhej nga privati.

Kontrata koncesionare e Sterilizimit pritet të shkaktojë penalizime të shumta në radhët e drejtuesve të shërbimit spitalor publik në vend.

Edlira Bode, një ish-deputete socialiste, e cila mori drejtimin e spitalit të Traumës në vitin 2021, konsiderohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si përgjegjëse për shkaktimin e një dëmi të konsiderueshëm financiar për institucionin.

Në konkluzion, KLSH rekomandon shkarkimin e menjëhershëm të saj nga detyra.

Disa nga shkeljet që i atribuohen zonjës Bode janë ato që lidhen me bashkëveprimin me kompaninë koncesionare të Sterilizimit, “Sani Service”.

Sipas raportit të auditit të publikuar së fundmi, spitali i Traumës ka kryer pagesa për energji elektrike dhe ujë për llogari të koncensionarit në shumën 17 milionë lekë të reja.

Po ashtu, spitali nuk i ka marrë qira, koncesionarit, për përdorimin e ambienteve të tij duke i shkaktuar humbje që llogariten në shumën 5.5 milionë lekë të reja.

Kontrata koncesionare për Sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale parashikon që kompania private duhet të përballojë me të ardhurat e saj faturat e energjisë elektrike, të ujit të pijshëm dhe qiranë e ambienteve. Por, siç rezulton nga kontrolli, këto pagesa janë kryer nga spitali në kundërshtim me kontratën.

Nga ana tjetër, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka renditur të paktën 10 shkelje të ndryshme në aktivitetin e drejtoreshës së spitalit të Traumës, Edlira Bodes, për të cilat audituesit sugjerojnë largimin e menjëhershëm të saj nga detyra.

Kontrata koncesionare e Sterilizimit, e nënshkruar në vitin 2015 ndërmjet ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë së kontrolluar në shumicë nga emigrant-murator, Ilir Rrapaj, është objekt i një hetimi që po zhvillohet nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK.

Deri më tani, në pranga kanë rënë ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Rrapaj si edhe me masa më të lehta janë gjashtë zyrtarë të institucionit.

Ndërkohë, gjyqtari që shqyrtoi masat e sigurisë, i sugjeroi prokurorëve të posaçëm që të thellojnë hetimet mbi rolin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *