28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Kërcejnë pagat/ Rroga mesatare u rrit me 17 për qind e udhëhequr nga pagat e shtetit

Paga mesatare u rrit me 16.9 për qind vit me vit në tremujorin e dytë, e udhëhequr nga rritja e rrogave në shtet, por edhe zgjerimi i pagës minimale. Instituti i Statistikave raportoi se në tremujorin e dytë të këtij viti, paga mesatare në ekonominë shqiptare arriti në 70.9 mijë lekë nga 60.6 mijë lekë që ishte në tremujorin e dytë të vitit të kaluar.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritja dyshifrore e pagës mesatare në ekonomi është diktuar kryesisht nga rritja e fortë e rrogave në sektorin publik. Sipas INSTAT, paga mesatare për një të punësuar në shtet arriti në 82.2 mijë lekë në tremujorin e dytë të vitit, nga 68.2 mijë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo do të thotë se mesatarisht rritja e pagës për një të punësuar në shtet është 14 mijë lekë në bazë vjetore ose 20.5 për qind.

Për të punësuarit në sektorin privat, rritja e rrogave ka qenë më e përmbajtur. Sipas INSTAT, paga mesatare në privat arriti 65.9 mijë lekë në tremujorin e dytë të vitit nga 57.3 mijë lekë që ishte një vit më parë. Shtesa është 8.6 mijë lekë ose 15 për qind.

Pagat sipas sektorëve

Gjatë tremujorit të dytë 2023, aktivitetet ekonomike që ofrojnë pagë mesatare mujore bruto, më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit dhe Informacioni dhe Komunikacioni.

Për të punësuarit në banka ose kompanitë e sigurimeve paga mesatare në tremujorin e dytë ishte 149 mijë lekë, ndërsa për të punësuarit në sektorin e medias paga mesatare rezultoi 112 mijë lekë në muaj.

Por krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të dytë 2023 paga mesatare bruto për grup- aktivitetin e Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale, ka rritjen më të madhe prej 20,4 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti Arte, argëtim dhe çlodhje; Aktivitete të tjera shërbimi prej 12 %.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *