27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore Lajme nga vendi

Zhurma e kotë e fondeve të inceneratorit

Klodian Tomorri

Historia e fondeve të inceneratorit është shumë e thjeshtë. Bashkia e Tiranës paguan mesatarisht 1 miliardë lekë në vit për inceneratorin. Vitet e shkuara formula e financimit ka qenë pak a shumë 70 me 30. Pra nga 1 miliardëshi që ishte fatura vjetore, 700 milionë lekë i financonte qeveria me grant, ndërsa 300 milionë përballoheshin nga fondet e vetë Bashkisë.

Por këtë vit muzika ndryshoi. Në dhjetor të vitit të kaluar, kur Parlamenti miratoi buxhetin e këtij viti, SPAK kishte shpallur ndërkohë në kërkim pronarët e inceratorit. Ndaj askush në Parlament nuk kishte kurajo të kërkonte fonde për inceneratorin nga buxheti qëndror.  

Në projektbuxhet ministria e Financave kishte alokuar vetëm 200 milionë lekë transfertë për Bashkinë si mbështetje për inceneratorët në vitin 2023, ndërsa Bashkisë i mbetet të paguajë 800 milionë të tjerat.

Por Bashkia nuk i kishte planifikuar këto para në buxhet. Ndaj ka më shumë se 3 muaj që nuk paguan kompaninë e inceneratorit. Fatura e fundit që ka paguar është ajo e muajit maj, siç u ankua publikisht administratori shtetëror i kompanisë së sekuestruar.

Me sa duket Erjon Veliaj ka shpresuar deri në fund se do ta bindte qeverinë që të jepte financim shtesë duke disbursuar një shumë të përafërt me vitet e kaluar. Por nuk ja ka arritur dot sepse as ministria e financave dhe as deputetët nuk kanë guxuar të alokojnë më shumë fonde për inceneratorin. Kurajo është mall që nuk gjendet me shumicë në treg, kur vjen rrotull SPAK-u.

Tani Bashkia e Tiranës është e detyruar të kafshojë buxhetin e arsimit dhe atë të emergjencave për të plotësuar 800 milionëshin, që duhet të paguajë për depozitimin e mbetjeve në Sharrë këtë vit sipas kontratës së koncesionit.

Megjithatë, në finale ky është thjesht një ushtrim numrash. Nuk është se po jepen para shtesë. Është fatura 1 miliardë lekë që paguhet çdo vit. Dhe ndryshimi i raportit të financimit mes qeverisë dhe Bashkisë nga krahu i interesit publik nuk ka asnjë ndryshim. Ato janë gjithmonë paratë e qytetarëve.

Ndaj zhurma që po bën opozita se Veliaj po ndryshon buxhetin e Bashkisë për të vjedhur 5 milionë euro me inceneratorët është e kotë. Veliaj është i detyruar nga kontrata koncesionare që t’i gjejë ato para. Dhe nëse ato vidhen, për qytetarët është njësoj si kur i jep bashkia ashtu edhe kur i jep qeveria. Sepse janë njësoj para publike. Për këtë arsye, kjo nuk ka pikë rëndësie. Por ato që kanë shumë rëndësi janë dy çështje të tjera.

Së pari, kompania duhet t’i nënshtrohet një auditimi të thelluar për të parë se cilat janë kostot reale të saj dhe se si janë shpenzuar paratë deri më tani.  Nëse kostot rezultojnë dukshëm nën tarifën atëherë dikush duhet të iniciojë rishikimin e saj.  

Së dyti, autoritetet e drejtësisë duhet të përshpejtojnë procesin ligjor për inceneratorin. SPAK duhet të përfundojë hetimet dhe të dërgojë çështjen në gjykatë sa më shpejtë. Pastaj gjykata duhet të marrë vendimin se cili do të jetë fati përfundimtar i inceneratorit. A do t’i kthehet sërish kompanisë private apo do të konfiskohet përfundimisht nga shteti.

Sepse sot statusi i koncesionit është pezull. Dhe sa më shumë të rrijë kështu, aq më keq është. Është me keq për punonjësit, është më keq për transparencën dhe është me keq edhe për menaxhimin e landfillit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *