28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Kur Presidenti shkelmon Kushtetutën

Në valën e përgatitjeve për udhëtimin bylyk në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti firmosi shpejt e shpejt dhe disa dekrete për punët e shtetit. Mes tyre ishin dhe dekretet e ndryshimeve në qeveri.

Përkatësisht në datën 9 Shtator, Presidenti dekretoi emërimin e Ervin Metes si ministër i Financave. Nxitimi për ta dekretuar propozimet e kryeministrit për emërimet e reja në qeveri ishte aq i madh saqë Presidenti dhe këshilltarët e tij “harruan” se zoti Mete ishte ende kryetar i Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.

Në fakt, zoti Mete u shkarkua nga posti i kreut të AMF-së dy ditë më vonë në Parlament, në datën 11 shtator.

Në nenin 103, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë thotë shprehimisht:

“Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse.”

Tani pyetja është kjo; Çfarë ishte zoti Mete nga 9 deri në 11 shtator? Kryetar i AMF apo ministër i Financave? Sepse kushtetuta thotë se mund të jetë vetëm një nga të dyja. Kush e gjen fiton një udhëtim falas në SHBA.

Meqë ra fjala. Lista e publikuar nga media për turmën delegative me përfaqësi nga të gjitha shtresat e shoqërisë dhe tarafit faresfinor që bën qejf në SHBA me paratë e popullit është e rëndë. Por kjo e dekreteve është edhe më e rëndë.

Presidenti ka një funksion mbi të gjitha. Të mbrojë Kushtetutën nga agresionet. Po kur presidenti i bie Kushtetutës vet në shkelm puna është bërë proçkë. Megjithatë kemi gjithmonë sheikët milionerë të Gjykatës Kushtetuese, që na mbrojnë. Atyre që iu shkoi rroga 6 mijë euro për të ligjëruar paudhësitë kushtetuese të qeverisë.   

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *