Në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës nën drejtimin e Dallendyshe Bicit vijon të zbatohet ligji i “xhunglës”. Pas dhjetëra denoncimeve të mbërritura për zvarritje dhe marrjen e zgjidhjeve kur ke mik, televizioni “Ora News” ka bërë një investigim të zgjatur në kohë në ASHK.
Te dera e këtij institucioni është afishuar njoftimi i drejtueses Dallëndyshe Bici, që mban datën 19.4.2023. Te njoftimi bëhet me dije se aplikimet bëhen vetëm në platformën “e-Albania”, duke shmangur në këtë mënyre kontaktin me punonjësit. Për më tepër asnjë person fizik apo juridik nuk duhet të lejohet brenda ambienteve të institucionit.
Ky njoftim ka vetëm vlerë teorike, sepse praktikisht në ambientet e Kadastrës hyjnë e dalin qytetarë pa pushim. Roja i lejon qytetarët të futen brenda vetëm pasi drejtorët ose specialistët japin urdhër për t’i takuar në zyrë. Qytetarët shprehen se për një legalizim tarifa është 4 milionë.
“Janë bërë të tërë dhe veç lekët e kanë mendjen, asnjë nuk punon veç pare duan. Kam aplikuar tre herë po në 2014-ën, herën e fundit erdhën dhe më bënë matjet te shtëpia. Ai më tha 4 milionë para 6 muajsh. Po ku t’i marr, i thashë, pensionist jam unë.
Apo kam dhe shumë pension, 200 mijë lekë. 20 mijë janë ato se na ka ngelur me Enverin… S’kam çfarë të të bëj, kur të të vijnë radha, më tha. Dje e mora në telefon, tha hajde njëherë po bisedojmë e ulim tarifën”, shprehet një qytetar.
Pas disa minutash pritjeje qytetarit i vjen telefonata.
Qytetarët që shkojnë e vijnë me dokumenta në duar shprehen se nuk ka sistem online që e shkul korrupsionin dhe ata ndihen të dorëzuar para këtij fakti.
“E hedhim ne këtë se nuk bëjmë gjë. Nuk gjejmë derman, s’ka rregulla kurrë. Korrupsioni siç ka qenë është. Është bërë më keq. Vetëm të kesh t’i shkelësh me këmbë.
T’i kesh lekët me i shkel. Më vjen gjynah për të rinjtë. Për Zotin, është hajdutllëk i madh, korrupsion i madh që nuk hiqet dot”, shprehet qytetarja.
Realiteti imagjinar i Dallëndyshe Bicit për ASHK është ky ku për të shmangur korrupsionin, koridoret e institucionit janë pa qytetarë, sepse shërbimet ofrohen online.
Por e vërteta e hidhur është se qytetarët mund të mbarojnë punë vetëm pasi të shkundin xhepat dhe paguajnë “gjobat” që i vënë drejtorët ose specialistët