29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Hollanda rrit me 70% taksat mbi bankat

Pas Italisë edhe Hollanda rrit ndjeshëm taksat mbi bankat për të ndihmuar familjet me të ardhura të ulëta. Parlamenti hollandez miratoi në orët e vona të së enjtes propozimin e qeverisë për rritjen me 70 për qind të taksës së posaçme mbi bankat që kanë seli në Hollandë.

Sipas propozimit, taksa do të sjellë 850 milionë euro shtesë në vit në buxhetin e shtetit dhe do të përdoret për të rritur pagën minimale, por edhe transfertat sociale për familjet me të ardhura të pakta.

Taksa e posaçme mbi bankat në Hollandë u vendos në vitin 2012. Ajo takson kreditë e pa mbuluara me kolateral që bankat kanë dhënë për biznesin apo qytetarët.

Deri më tani kjo taksë ka qenë me dy nivele. Për kreditë afatshkurtra të pambuluara me kolateral ajo ishte 0.044 për qind, ndërsa për kreditë afatgjata 0.022 për qind.

Me ligjin e ri të dy shkallët rritjen me 70 për qind, çka sipas qeverisë do të sjellë 850 milionë euro shtesë në arkën publike. Veç taksës mbi bankat, Parlamenti holandez miratoi dhe një taksë të re për kompanitë e listuara në bursë, kur ato blejnë mbrapsht aksionet e tyre. Kjo taksë e re do të sjellë dhe 1.2 miliardë euro të tjera shtesë në vit në arkën publike.

Pra në total rreth 1.9 miliardë euro përmes të cilave qeveria holandeze do të rrisë pagën minimale dhe transfertat e tjera sociale për familjet me të ardhura të pakta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *