Qytetarët që japin apartamentet e tyre me qira afatshkurtër për turistët, përmes Airbnb, Booking apo platformave të tjera online, do të paguajnë 15 për qind taksë. Në udhëzimin e ri për tatimin mbi të ardhurat, ministria e Financave liston të gjitha kategoritë e të ardhurave që do të hyjnë në taksim.
“Si shembull përmendim të ardhurat dhe pagesat për personat rezidentë shqiptarë nga platformat e internetit, si: Google, Tik-Tok, Instagram, Facebook, Youtub etj. Airbnb, Booking etj., apo në platforma të blerjes së mallrave, si Amazon, Alibaba etj,” thuhet në udhëzim.
Në fakt të ardhurat nga qiratë janë objekt taksimi me ligj, por deri më sot mbledhja e taksës për qiratë afatshkurtra ka qenë e pamundur. Tani jo më.
Kapitali.al ka mësuar se ministria e Financave tashmë ka nisur shkresat zyrtare drejt Airbnb, por edhe platformave të tjera online duke u kërkuar akses në databazën e tyre për flukset e pagesave në Shqipëri. Kjo do t’i mundësojë administratës tatimore që të identifikojë në kohë reale të gjitha pagesat që turistët bëjnë për pronarët e apartamenteve.
“Mënyrat e deklarimit dhe pagesës në Shqipëri tëdetyrimeve tatimore për të ardhurat e tatueshme në Shqipëri dhe që lidhen me përdorimin e këtyre siteve dhe platformat e deklarimit dhe pagesës së detyrimeve, zhvillohen nga administrata tatimore dhe u vihen në dispozicion përdoruesve,” saktësohet në udhëzim.
Bum listimesh
Të dhënat zyrtare nga platforma botërore AirBnB tregojnë se në tremujorin e dytë të këtij viti numri i apartamenteve apo vilave që shqiptarët listuan në AirBnB arriti në rreth 20 mijë njësi.
Krahasuar me një vit më parë, numri i banesave të listuara në AirBnB është rritur me 27.3 për qind ose me më shumë se 4500 njësi. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të dy viteve me parë, ai është rritur me mbi 2.3 herë. Në tremujorin e tretë shifra është rritur edhe më shumë duke kërcyer në mbi 25 mijë njësi të listuara. Me pak fjalë, tregu i qirave afatshkurtra është biznesi i ri që po lulëzon në Shqipëri.
Tashmë qeveria kërkon të arkëtojë në buxhet nga ky fluks të ardhurash. Mbetet për t’u parë se sa kohë do t’u duhet Tatimeve që të ngrenë infrastrukturën dhe sistemin që do të gjenerojë të dhënat e transaksioneve të qirasë në kohë reale. Por e sigurtë është se kohëve të arta, të qirave afatshkurtra pa taksa po u vjen fundi.