29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore Lajme nga vendi

Prapësira McGonigal dhe cirku ynë i madh

Klodian Tomorri

Hezitimi i Spak për të hapur qoftë dhe një procedurë të thjeshtë verifikimi për çështjen Mcgonigal dëshmon se nuk mjaftojnë as gjysmë miliardë euro për të patur një sistem drejtësie që nuk ka frikë nga kryeministri.

Ajo që nuk bëhet me shumë para, bëhet me më shumë para, siç thotë një proverb matanë Atlantikut. Por druaj se ne këtej, ndoshta nuk do ta marrim vesh asnjëherë se sa para të tjera duhen akoma që Arben Kraja, Altin Dumani apo të tjerët qe do të vijnë më pas të mos kenë frikë nga Edi Rama. Në fund të fundit, SPAKU dhe e gjithë reforma në drejtësi jane produkte “Made in Albania.” Me pak fjalë, një gjellë cirku.

Dhe meqë ra fjala tek cirku, protagonisti kryesor dhe aktori më djallëzor i tij është padyshim kryeministri. Ky nuk e ka për gjë të sajojë intriga ruse dhe goditje poshtë brezit për të vrare opozitën. Madje kur puseta e madhe shpërthen dhe era e saj ndihet deri matanë oqeanit, kryeministri ka aftësine që t’a bindë popullin se kjo nuk është aromë pusete, por parfum.

E vërtetë. Qeveritë kanë detyrimin të denoncojnë çdo krim. Por këtë e bëjne përmes kanaleve zyrtare dhe rrugëve ligjore. Jo duke u paguar udhetimet dëshmitarëve të sajuar apo duke futur në kllapë agjentët sekretë të shërbimeve partnere. Megjithatë, se sa seriozisht e kishte qeveria për të zbardhur krimin rus të Lulit, e panë të gjithë kur nisën hetimet në Tiranë. Pra ky ishte atentat i pastër për të vrarë opozitën, e cila më pas u mor peng. Richard Nixon, ish presidenti i SHBA-ve bëri shumë më pak se kaq në skandalin e ëatergate. Ai opozitën thjesht e përgjoi, nuk tentoi ta vriste as ta merrte peng.

Megjithatë, kjo strategjia e parfumit mund të funksionoje shumë mirë në Shqipëri, por andej matanë nuk pi dot ujë. Me gjithë përpjekjet e mëdha disa mujore, këtë herë kryeministrin nuk na e begenisi askush në Uashington. Përveç Juri Kimit, sigurisht. Kur bëhesh toksik nuk bëjnë më pune as paratë. Por shyqyr që qelloi ai rusi në OKB.

Protagonisti i dytë i cirkut tonë të madh është Lulzim Basha. Madje, ky është i vetmi fiks në rolin e vet. Atë të humoristit të estradës që nuk bën më askënd të qeshë pavarësisht se përpiqet me gjithçka.

Zoti Basha thotë se afera McGonigal ishte një komplot i madh ndaj tij, i sajuar nga politika e vjetër e Trekendëshit të Bermudës dhe se e vërteta vonon, por ajo nuk mund të fshihet. Luli i politikës së re mendon se McGonigal u pajtua për të vrarë atë, jo opozitën.

Nëse zoti Basha do të ishte kryetar i vulës pa anëtarë siç është sot, as kryeministri diabolik dhe madje as Taulant Balla, nuk do ta merrnin mundimin të shpenzonin qoftë edhe nje cent për të e jo me t’i benin atentat me agjentë sekretë në SHBA. Por të ndalemi pak tek sallata ruse.

Askush me dy fije mend në kokë nuk e beson që Basha mori 500 mijë dollarë nga Putini, të cilat më pas i çoi në SHBA. Por të gjithë e kanë të qartë se 500 mijë dollarët zor se kanë ndonjë burim të ligjshëm. Ah po. U mblodhën nga diaspora në SHBA.

Pra në vend që t’u kerkojë një falje të madhe demokratëve se u vuri damkën e financimeve ruse, vetëm e vetëm që të kapte një foto me Donald Trump, zoti Basha thotë se ai është viktima e vërtetë e komplotit të madh McGonigal. Kjo është arsyeja se pse me estradën e Lulit nuk qesh më askush.

Por cirku ka dhe një protagonist të tretë. Ky është kryetari i opozitës me anëtarë, por pa vule. Saliu thote se tani që Mcgonigal e pranoi fajin, në shkurt amerikanët do të arrestojnë Ramën, Duçkën dhe Nezajn. Madje sipas tij, gjykata amerikane do të denoje me 5 vjet burg McGonigalin, ndërsa Rama do të dënohet 7 vjet.

Mire ërë Doktor. Vetëm na thuaj, Ramën ku do e arrestojnë? Në Kryeministri apo do ta cojnë prapë tek ai ishulli i izoluar që na the se e cuan para disa muajsh. Në vend që të bëjë kallëzim në SPAK dhe t’ia lërë SPAK-ut topin në derë, Doktori tregon përralla me arrestime dhe rrëmbime në ishuj të fshehtë.

Ja pra, ky është cirku ynë i madh, ku të gjithë janë në rol. Edi, Luli, Saliu dhe SPAKU.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *