Platforma Tring është në black out total prej 3 ditësh. Mijëra abonentë në të gjithë vendin nuk marrin shërbimin që nga e premtja edhe pse kanë paguar paketat përkatëse të abonimit me çmimet e majme.
Tring është platforma që ka të drejtën e dy evenimenteve sportive më të ndjekura në Shqipëri, kampionatin italian të futbollit serie A dhe Champions League. Ndërprerja u ka hequr mundësinë mijëra tifozëve, që të shohin aktivitetet sportive të fundjavës, një shërbim që Tring e shet shtrenjtë. Ndërkohë vetë kompania nuk bën asnjë sqarim, por mjaftohet duke thënë se është defekt Teknik dhe problematikë e përgjithshme.
Kjo nuk është hera e parë që Tring ndëpret shërbimin për abonentët e saj. Kjo kompani ka qenë edhe më parë në qendër të kritikave për cilësinë e shërbimit nga abonentë të shumë. Por në asnjë rast autoritetet shtetërore nuk kanë ndërhyrë.
Mbrojtja e konsumatorëve nga abuzimet në tregun mediatik është detyrë funksionale e dy institucioneve. Këto janë Autoriteti i Mediave Audiovizive si dhe Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit.
AMA njihet gjerësisht si një rregullator i kapur nga oligopolet që duhet të rregullojë, ndërsa Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit është institucioni me parazitar në historinë e Shqipërisë, i cili edhe pse ka disa vite që është krijuar me ligj nuk ka asnjë rezultat në fushën e mbrojtjes së konsumatorit. Madje shumë ekspertë kanë akuzuar publikisht se ky Komision nuk është mbledhur asnjëherë.
Vitin e kaluar DAZN, platforma që kishte të drejtën e transmetimit të serisë A në Itali, pati disa probleme minore me cilësinë e transmetimit. Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit në Itali dhe institucionet e tjera rregullatore vendosën një gjobë të majme mbi kompaninë dhe e parlajmëruan që nëse problemet do të përsëriteshin asaj do t’i hiqej licenca dhe e drejta e transmetimit të serisë A.
Por në Shqipëri, kompanitë që funksionojnë në tregjet e mbyllura dhe ofrojnë shërbime monopol kanë luksin ta ndërpresin shërbimin e paguar nga qytetarët edhe me ditë të tëra pa më të voglin sanksion.