Scan Tv
Ndërsa duhet të përfundonte në vitin 2025, procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave do të shkojë minimalisht përtej vitit 2030. Në dokumentin e Masave Prioritare të Politikave në fushën e shtetit të së drejtës, të nxjerrë për konsultim publik, Ministria e Drejtësisë shtyn deri në fund të 2030-ës disa prej komponentëve më të rëndësishëm që kanë të bëjnë me këtë proces.
“Sigurimi gradual i mbështetjes së duhur financiare për procesin kalimtar të kompensimit të pronave brenda vitit 2030”, thekson në dokument Ministria e Drejtësisë. “Progres thelbësor në proceset kalimtare të pronësisë brenda vitit 2030”, thekson një prej përcaktimeve të tjera të dokumentit.
Kjo do të thotë se procesi do të shkojë shumë më larg vitit 2025, sipas përcaktimeve të ligjit të ri për trajtimin e pronës i hyrë në fuqi në vitin 2015.
Aktualisht numri i dosjeve që po presin për kompensim është rreth 26 mijë. Por që nga viti 2015, shumë pak prej tyre janë kompensuar dhe përmes formulës së kompensimit me kusht, e cila parashikon heqjen dorë nga deri 80% e shumës për të marrë jashtë radhe pjesën e mbetur. ATP bën me dije se që prej vitit 2016 e deri në fund të vitit të shkuar, janë në total 269 subjekte që kanë pranuar të heqin dorë nga pjesa më e madhe e kompensimit në këmbim të marrjes së tij jashtë radhe.
Në total për këta subjekte janë paguar me këste rreth 1.7 miliardë lekë, apo afërisht 17 milionë dollarë. Vlen për t’u përmendur, se ATP raporton që në 2022 i ka kursyer buxhetit më shumë se 6.8 miliardë lekë, apo afërisht 68 milionë dollarë përmes kësaj formule.
Mund të thuhet se procesi i kompensimit të pronarëve nuk funksionoi në 7 vitet e fundit, ndërkohë që për dy vite u bllokua tërësisht për shkak të pezullimit të dy neneve të ligjit të ri të pronës nga ana e Gjykatës Kushtetuese.