30 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

PD kërkon komision hetimor për koncesionet në shëndetësi

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ka kërkuar ngritjen e Komisionit Hetimor për 4 kontratat koncesionare në fushën e shëndetësisë.

Kërkesa u depozitua në Kuvend këtë të martë nga deputetet Zheni Gjergji dhe Albana Vokshi.

Bëhet fjalë për kontratën e shërbimeve laboratorike të nënshkruar në 10 prill të 2019-s, kontratën e koncesionit për shërbimin e hemodializës të firmosur në 2016-n, kontratën e sterilizimit të mjeteve kirurgjikale të firmosur në 2015-n dhe kontratën e Check-up të firmosur në janar të 2015-s.

Sipas opozitës, 4 kontratat që përllogariten në vlerën totale rreth 45.5 miliardë lekë ose 450 milionë dollarë kanë shkelje të faktuara edhe në raportet e Konstrollit të Lartë të Shtetit.

Shkelje, që sicc u shpreh deputetja Vokshi në një prononcim për mediat, “ngrihen deri në nivelin e përgjegjësisë penale, si në fazën e përzgjedhjes dhe shpalljes së fituesit, ashtu edhe gjatë zbatimit të këtyre kontratave.”

4 koncesionet

Në datën 10.04.2019, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nënshkruar një Kontratë partneriteti publik-privat për ofrimin e shërbimeve laboratorike mjekësore, me konsorciumin “Laboratory Netëorks” sh.p.k., i cili përbëhet nga shoqëritë “Labofarma” sh.p.k., “AB Laboratory Solution B.V”, dhe “EXALAB”. Kjo kontratë do të ketë një kohëzgjatje 10-vjecare nga data e komisionit të objektit të fundit laboratorik dhe përllogaritet të ketë kosto totale rreth 114 milionë dollarë.

Në datën 10.02.2016, Ministria e Shëndetësisë dhe shoqëria “DiaVita” sh.p.k., kanë nënshkruar kontratën e koncesionit për shërbimin e hemodializës. Kjo kontratë do të ketë një afat 10-vjecar dhe përllogaritet me një kosto totale prej 70 milionë euro. Sipas PD, historiku i kompanisë fituese të këtij koncesioni ngriti mjaft dyshime, duke qenë se jo vetëm nuk kishte asnjë eksperiencë në sektorin shëndetësor, me një kapital minimal prej 100 mijë lekësh, por pronarët e saj të vetmen eksperiencë në biznes kishin menaxhimin e një bar kafe modeste në qytetin e Beratit. Të dhënat e publikuara më pas në media do të zbulonin se pas kësaj kontrate qëndronte pronari i Spitalit Amerikan, biznesmeni Klodian Allajbeu, i cili nëpërmjet një kompanie të regjistruar në Holandë do të bëhej edhe pronar përfitues i kësaj kontrate koncesionare.

Në datën 10.12.2015, Ministria e Shëndetësisë dhe shoqëria “SaniService” sh.p.k., nënshkruan kontratën për ofrimin e shërbimeve të integruara të furnizimit të setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale sterile, furnizimin me material mjekësor steril një përdorimsh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale. Kjo kontratë do të ketë një kohëzgjatje 10-vjecare dhe përllogaritet me një kosto totale rreth 100 milionë euro. Deri më tani llogaritet që për këtë kontratë të jenë paguar rreth 8 miliardë lekë ose 76 milionë euro.

Në datën 07.01.2015, Ministria e Shëndetësisë dhe shoqëria “3P Life Logistic” sh.p.k., nënshkruan kontratën për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 40 – 65 vjeç. Kjo kontratë do të ketë një kohëzgjatje 10-vjecare dhe përllogaritet me një kosto totale rreth 120 milionë euro. Deri më sot llogaritet që për këtë kontratë të jenë paguar rreth 60 milionë euro.

Bold news

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *