Në dhjetor të vitit 2021, kryministri Edi Rama njoftoi me pompozitet arritjen e marrëveshjes për njohjen e pensioneve me Italinë. Zoti Rama zgjodhi profilin e tij në facebook për të dhënë lajmin e madh.
“LAJM I MIRË për shqiptarët në Itali. Në vazhdën e komunikimit me qeverinë italiane dhe partitë politike për marrëveshjen e pensioneve, Parlamenti Italian ka përfshirë në projek-buxhetin e Italisë për vitin 2022 edhe një amendament për nisjen e procesit të njohjes faktike të pensioneve të shqiptarëve me kontribute pune në vendin mik,” njoftoi kryeministri në 27 dhjetor 2021.
Por marrëveshja nuk u bë. Shtatë muaj më vonë në korrik të vitit të kaluar, kryeministri e dha për herë të dytë lajmin e njohjes së pensioneve, sërish me të njëjtin stil.
“LAJM I MIRË. Shqipëria dhe Italia sapo kanë përfunduar negocimin teknik të marrëveshjes për pensionet. Pas përfundimit të procesit teknik do të ndiqen procedurat për ratifikimin e kësaj marrëveshje dhe më në fund, pas një përpjekje të gjatë e thuajse të pamundur, rreth 500 mijë shqiptarë pritet të përfitojnë me hyrjen e saj në fuqi”, shkroi kryeministri në postimin e tij të datës 26 korrik 2022.
Lajmet e mira të kryeministrit për njohjen e pensioneve me Italinë pasonin njëri tjetrin, por marrëveshja nuk dukej gjëkundi. Italianët thonë se nuk ka dy pa tre. Sot kryeministri e dha sërish lajmin e mirë.
“”Marrëveshja për pensionet drejt përfundimit. Shqiptarët e Italisë, mund ta gëzojnë shumë shpejt këtë të drejtë”, tha Rama.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse marrëveshja është arritur vërtetë dhe se shqiptarët e emigruar në Itali do të arrijnë më në fund të marrin një të drejtë që u mohohet prej vitesh, atë të njohjes së kontributeve. Por nëse cështja do të shtyhet akoma, ka shumë rrezik që kryeministri ta japë lajmin e mirë të pensioneve edhe më shumë herë se sa dha atë të hapjes së negoiatave me BE-në.