Klodian Tomorri
Një tender i Ministrisë së Shëndetësisë me vlerë 7.4 milionë euro për trajtimin dhe asgjesimin e mbetjeve në spitalet publike të Shqipërisë për një periudhë 3 vjeçare ka hapur një luftë të fortë mes kompanive që ofrojnë këtë shërbim në Shqipëri.
Një kompani e quajtur V.A.L.E Recycling ka depozituar në Komisionin e Prokurimit Publik një ankesë zyrtare me akuza të forta për Ministrinë e Shëndetësisë, që sipas saj ka paracaktuar fituesin e tenderit.
“Studimi i tregut dhe i gjithë dokumentacioni vijues është kryer nga Autoriteti Kontraktor, vetëm me një qëllim, pengimin e konkurencës dhe paracaktimin e subjektit fitues, i cili është shoqëria ECO Riciklim shpk. Siç do të provojmë më poshtë, tashmë fituesi i kësaj procedure prokurimi është paracaktuar dhe zhvillimi i tenderit si i hapur është thjesht fiktiv,” thuhet në ankesën që kompania ka depozituar në KPP.
Në fushën e trajtimit dhe asgjesimit të mbetjeve spitalore në Shqipëri rezultojnë se operojë vetëm 4 kompani. Ato janë V.A.L.E Recycling shpk, Medi-Tel shpk, Pura-Medical shpk dhe Eco Riciklim shpk.
Kriteri për të cilin, V.A.L.E Recycling akuzon ministrinë e Shëndetësisë se ka paracaktuar fituesin është ai për kapacitetin e autoklavës. Sipas dokumentave të tenderit, MSH kërkon që kompania fituese të ketë impiant për trajtimin me sterilizim (teknologji autoklavim ose ekuivalente) me kapacitet minimal 110 kg/orë.
“Vetëm shoqëria ECO Riciklim shpk (shoqëria e paracaktuar fituese), rezulton të ketë kapacitetin e kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë si më sipër, ndërsa të tre kompanitë e tjera të marra së bashku nuk e arrijnë dot kufirin minimal të vendosur nga ana e autoritetit kontraktor për kapacitetin e autoklavës,” thotë V.A.L.E Recycling në ankesë.
Madje sipas saj, skandali është edhe më i madh se kaq. “Për çudi, rezulton se kjo shoqëri është licensuar vetëm 3 muaj përpara zhvillimit të procedurës së prokurimit dhe pikërisht me të njëjtin kapacitet të vendosur si kriter nga Ministria e Shëndetësisë në dokumentet e tenderit. Ajo që e bën më dyshuese faktin është se pavarësisht se kjo shoqëri është licensuar në muajin Dhjetor 2022, instalimin dhe inagurimin e impianteve e ka kryer vetem 10 dite para publikimit të zhvillimit të procedurës,” thuhet në ankesën drejtuar KPP.
Luftë e fortë
Tenderi për trajtimin e mbetjeve spitalore u shpall për herë të parë në Mars të këtij viti me firmën e ish sekretares së përgjithshme të ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro, e cila më pas u arrestua për rryshfet ne tendera. Por menjëherë sapo tenderi u shpall në Agjencinë e Prokurimeve, u ankimua në Komisionin e Prokurimeve Publike.
Pas një periudhe disa mujore shyrtimi, KPP vendosi të urdhërojë ministrinë e Shëndetësisë që të ndryshojë kriteret e tenderit. Gjithsesi tenderi u hap sërish në datën 25 shtator. Por edhe këtë radhë, hapja e tenderit është shoqëruar me akuza direkte për korrupsion, teksa përplasja mes kompanive duket e fortë.
Një treg i ndodur
Shërbimi i asgjesimit të mbetjeve spitalore në Shqipëri ofrohet vetëm nga 4 kompani. Por thuajse të gjitha kanë nga pas rekorde problematike.
Eco Riciklim është një shoqëri e krijuar në vitin 2016. Ajo zotërohet nga dy ortakë, Ervin Meçe me 30 për qind dhe Arbër Teqja me 70 për qind. Ky i fundit rezulton të ketë patur probleme me drejtësinë vite më parë, teksa është arrestuar si i përfshirë në një skemë mashtrimi me rimbursimin e ilaçit Ketosteril.
Pura- Medical është një kompani që zotërohet nga disa aksionerë, ku pjesën më të madhe e ka Armela Vrahoriti. Kjo kompani e ka ndryshuar tre herë emrin, pasi më parë është quajtur Jamarbër group dhe Eco Medica.
Në vitin 2018, kompania u kallëzua në prokurori nga Inspektoriati Shëndetësor për mashtrim me lejen mjedisore dhe se kompania ekzistonte vetëm në letra, ndërsa në terren ishte fantazmë, pa asnjë instalacion për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme.
Sipas Inspektoriatit, kompania kishte mashtruar edhe me adresën e zyrave dhe më vonë rezultoi të ishte regjistruar në Lezhë, në të njëjtën adresë me kompaninë tjetër V.A.L.E Recycling.
Kjo e fundit zotërohet nga Elvis Miri. Në atë kohë Miri pati mohuar që Eco Medica të kishte zyra në ambiente të njëjta me kompaninë e tij, duke pranuar thjesht se me këtë kompani kishte kontratë bashkëpunimi.
Kompania e katërt, Medi-Tel është themeluar në vitin 1997 dhe zotërohet nga Anastas Peçini, një biznesmen i lidhur me spitalin Salus. Emri i zotit Peçini u bë publik, kur djali i tij bleu gjysmën e koncesionit 300 milionë euro të skanimit në dogana për vetëm 4 euro.
Tenderat e mbetjeve spitalore janë shoqëruar gjithmonë me akuza për korrupsion e madje edhe për abuzime mjedisore. Në të kaluarën edhe vetë autoritetet shtetërore kanë konstatuar se kompanitë i kanë asgjësuar mbetjet në kundërshtim me ligjin dhe në zona të banuara duke vënë në rrezik shëndetin e banorëve.