Partia Demokratike ka denoncuar ditën e sotme me dokumente sesi drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH-së), Evis Berberi ka lidhur kontrata publike me institucione shtetërore kur mbante detyrën e drejtuesit të prokurimeve.
Në një deklaratë nga selia blu, zëdhënësja e njësisë së anti-korrupsionit në PD, Genta Vagjeli zbardhi skemën e plotë sesi Berberi përdorte detyrën shtetërore për të siguruar kontrata dhe para publike për kompaninë e tij private DAAM shpk.
Sipas PD-së, ky subjekt tregtar është themeluar në tetor 2017 me emrin fillestar “B – VAAL ENG – 10” dhe, në tetor 2018, Berberi ia ka ndryshuar emrin në DAAM shpk, ku kreu i ARRSH-së rezulton pronar me 100 përqind të kapitalit të firmës nga 14 Shtatori 2018 deri më 31 Janar 2019. Në datën 31 Janar 2019 Evis Berberi i shet 100% të aksioneve të shoqërisë DAAM shpk kundrejt vlerës 500 mijë euro.
“DAAM shpk, ka përfituar, nga dhjetori 2017 deri në qershor 2023, 202 milion lekë fonde publike nga Bashkitë Tiranë, Prrenjas, Librazhd, Elbasan, Ersekë, Kamëz, Shijak, Lezhë, Pukë, Cërrik, Klos, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, INSTAT, Spitali Korcë, Universiteti Bujqësor etj. 21 pagesa nga këto më lart në vlerën 81 milion lekë janëpaguar në favor të kompanisë së Berberit gjatë kohës që ai rezulton zyrtarisht pronar i shoqërisë tregtare dhe njëkohësisht mban detyrë publike si drejtues.” – thuhet në deklaratën e PD.
Më tej, Genta Vangjeli shtoi: “Në asnjë nga formularët e dorëzuar në ILDKPKI nuk ekziston asnjë e dhënë për deklarimin e shitjes së kompanisë Daam shpk. Fshehja e të ardhurave me qëllim pagimin e një detyrimi tatimor mbi mbi 8 milion lekë ,denohet me burgim 4 deri 8 vjet sipas Ligji nr.7895, datë 27 Janar 1995, Kodi Penal i RSH i ndryshuar.
Gjatë drejtimit të Agjencisë së Eficiencës së Energjisë, Evis Berberi, pajisi si Auditues të energjisë në ndërtesa, auditues së energjisë në instalime industriale, dhe menaxher të energjisë personin prej të cilit bleu kompaninë DAAM shpk. Ky i fundit aktualisht ështëpronar i kësaj shoqërie përsëri, dhe kjo do të thotë se për cdo pallat të ri që ndërtohet apo çdo ndërtesë ekzistuese që rikonstruktohet, duhet më parë të merret certifikata nga audituesi i energjisë. Pronari aktual i DAAM shpk ka përfituar nga Evis Berberi, pronar i mëparshëm i të njëjtës shoqëri tregtare, vlerën 322 milion lekë të vjetra paguar nga Autoritetit Rrugor Shqiptar me drejtues… Evis Berberin.” – thuhet në deklaratën e PD-së.
Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e menjëhershme dhe të parevokueshme të kreut të ARRSH-së, Evis Berberit.