Lajmi se SPAK ka marrë sërish si të pandehur Arben Ahmetajn për privatizimin e ndërmarrjes publike Buka bëri bujë të madhe mediatike. Por ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë publiku nuk po kupton kush është akuza e kësaj dosje dhe aq më pak vepra penale.
Fenomeni i copëzave të informacionit me burime të pakonfirmuar që hidhen për konsum publik pa dalë më parë njoftimet zyrtare të akuzës po shndërrohet në një problem të madh, që dëmton më së pari kredibilitetin e vet SPAK dhe më pas i hap rrugë çdo aludimi mbi paanshmërinë apo objektivitetin e hetimeve, që bën prokuroria e posaçme.
Në eksperiencën e Shqipërisë, zakonisht prokurorët e kanë përdorur taktikën e rrjedhjes së lajmeve, jo në funksion të hetimeve dhe përmbushjes së detyrave që u ngarkon ligji, por për qëllime të tjera, jo dhe kaq të ortodokse. Ky është një problem që SPAK duhet ta zgjidhë një herë e mirë. Megjithatë, kjo mbetet për në vijim. Tani të kthehemi tek çështja Buka.
Nëse ajo që u publikua në media është e vërtetë, atëherë ky do të jetë rasti i parë kur një zyrtar publik akuzohet se mbrojti interesat e shtetit dhe jo ato të privatit. Sepse në thelb konflikti për dosjen Buka ky ishte. Kush do të përfitonte më shumë nga shitja e kompanisë, shteti apo privatët.
Ish ndërmarrja publike zotërohej nga një pronësi mikse mes shtetit dhe privatëve. Deri në vitin 2014, shteti shqiptar zotëronte 50.71 për qind të aksioneve të ndërmarrjes Buka. Pjesa tjetër zotërohej nga privatët. Këta ishin ish punonjës të ndërmarrjes, pronarë të tokës dhe investitorë.
Kur nisi procesi i privatizimit, në prill të vitit 2014, ndërmarrja iu nënshtrua vlerësimit. Ekspertët e licensuar që kryen vlerësimin patën arritur në konkluzionin se nga koha kur ishte kryer vlerësimi i fundit kontabël i aseteve të kompanisë, vlera e tokës ishte trefishuar. Rrjedhimisht kjo rriti vlerën e kompanisë, por ndryshoi dhe strukturën e aksionerëve.
Për shkak se vlera e tokës u rrit, kjo çoi në rritjen e peshës së aksioneve që zotëroheshin nga pronarët e tokës. Më konkretisht, për familjen Myderizi, e cila në atë zonë zotëronte rreth 8 mijë metër tokë, pesha e aksioneve u rrit nga 3.1 për qind në 4.73 për qind. Ndërsa pesha e aksioneve që zotëronte shteti u ul nga 50.71 për qind në 45.97 për qind.
Tani ky është konflikti. Familja e pronarëve kërkonte që toka e saj të vlerësohej veçmas aseteve të ndërmarrjes dhe pesha e saj e aksioneve të ishte më e madhe.
Por çdo rritje e aksioneve të pronarëve do të ndodhte në kurriz të aksioneve të shtetit. Sepse çdo rritje e peshës aksionare e privatëve, do të sillte uljen në të njëjtën masë të përqindjes së aksioneve që zotëronte shteti. Pra aksionet e shtetit do të uleshin nën 40 për qind e ndoshta edhe më shumë. Në këtë rast si Shkëlqim Cani në krye të Financave ashtu dhe Arben Ahmetaj tek ekonomia kanë mbrojtur aksionet e shtetit.
Dhe kjo është çështja. Kush është akuza, e më tej akoma kush është krimi në dosjen Buka? Nëse mbrojtja e aksioneve të shtetit nga zyrtarët publikë do të konsiderohet vepër penale, kjo pastaj do të shndërrohet në liçencë për të vjedhur çdo aset publik. Dhe këto nuk janë dhe aq zhvillime surprizuese. Gjithmonë nëse.