30 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Eksportet në rënie dyshifrore, në shtator u ulën me 12.8%

Eksportet e mallrave ranë për të tetin muaj më radhë në shtator duke konfirmuar situatën negative, e cila pasqyron rënien e çmimeve të lëndëve të parë në bursa si dhe goditjen e kursit të këmbimit.

Instituti i Statistikave raportoi se gjatë muajit të kaluar kompanitë shqiptare eksportuan 34 mld lekë mallra në tregjet e huaja, me një rënie prej 12,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare.

Që nga muaji mars, eksportet e mallrave janë në rënie të vazhdueshme në ritëm dyshifror për shkak të situatës së pafavorshme, që krijoi forcimi i lekut, por edhe rënia e çmimeve të lëndëve të para dhe materialeve të ndërtimit. Këto të fundit janë baza e eksporteve shqiptare.

Sipas INSTAT, dy grupet që kanë regjistruar rënien më të madhe të eksporteve gjatë muajit të kaluar ishin “minerale lëndë djegëse e energji”, me 27,5% dhe tekstile e këpucë me 9.5%.

Shifrat e shtatorit kanë thelluar ecurinë negative të eksporteve si 9 mujor. Sipas INSTAT, për periudhën janar-shtator, eksportet e mallrave arritën vlerën 333 mld lekë, duke u ulur me -9,0 % krahasuar me një vit më pare.

Për 9 mujorin grupet me ndikimin me të madh në uljen e eksporteve janë “Materiale ndërtimi dhe metale” me -7,2 pikë përqindje. Ky grup pasqyron kryesisht rënien e eksporteve të kromit, por edhe hekurit dhe disa materialeve të tjera të ndërtimit, të cilat janë goditur nga ulja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Ndërkohë, grupi I dytë me ndikimin më të madh ishin , “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1,5 pikë përqindje, dhe më pas “Tekstile dhe këpucë” me -0,9 pikë përqindje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *