Mbikëqyrja dhe monitorimi i zbatimit të kontratës koncesionare për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e “Portit të Integruar” në Triport Vlorë pritet të kushtojnë rreth 68 mln lekë. Ministria e Infratsrukturës dhe Energjisë ka hapur tenderin për kontraktimin e një inxhinieri të pavarur, që të ofrojë ekspertizë në të gjitha fushat e koncesionit, pa përjashtim.
Sipas dokumenteve të tenderit, do të duhet që çdo aspekt i ecurisë së Koncesionit t’i nënshtrohet certifikimit në bazë të sistemeve të cilësisë dhe auditimit të rezultateve. Kontrata e partneritetit publik privat (PPP) për portin e Triportit u miratua nga qeveria në maj të vitit të kaluar, ndërkohë që zbatimi i saj do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 59.29 mln euro, pa TVSH.
Kontrata ka një kohëzgjatje 10 – vjeçare, ndërsa referuar tabelës së pagesave nga Autoriteti Kontraktor, që është Ministria e Infrastrukutrës dhe Energjisë, disbursimi nga buxheti i shtetit do të nisë në vitin e 4 të kontratës, teksa çdo vit konsorciumit do t’i paguhet vlera prej 8.47 mln euro.
Porti i Integruar në Triport, Vlorë po ndërtohet në portin ekzistues të peshkimit të këtij qyteti që quhet “Triport”. Ai ishte i ndarë në dy pjesë, ku në pjesën e brendshme ofronte kapacitete për shërbimin e anijeve të peshkimit. Ndërkohë që, pjesa e jashtme ishte hapësirë e fituar pas ndërtimit të një dallgëthyesi.
Në zbatim të Vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit në këtë port do të transferohen nga Porti i Vlorës edhe dy shërbime të tjera të cilat janë: Transporti ndërkombëtar i pasagjerëve dhe automjeteve dhe transporti kombëtar e ndërkombëtar i mallrave.
Scan tv