Shpëtim Luku, Biznesmenet.com
Ndonëse ka ikur që i vogël nga vendlindja, sytë, mendja dhe zemra e tij i mbeten gjithmonë atje. Edhe pse pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar larg saj, ai ka qenë dhe mbetet krenar për vendlindjen e tij. Dhe jo vetëm kaq, por ka bërë gjithcka për ta ekspozuar dhe promovuar këtë fakt.
Përpara disa viteve e mori ekipin e basketbollit të Valbonës dhe me “prepotencën” e financimeve private e shpalli kampion kombëtar disa vite. Ndonëse Tropoja nuk është shquar ndonjëherë për konkrueshmëri në nivele të larta në basketboll.
Megjithëse prej afro 30 vitesh ai është një biznesmen i suksesshëm në rang vendi, e ka quajtur gjithmonë obligim të investojë edhe në zonën e tij të vendlindjes. Avni Ponari nuk ndjehej rehat derisa në momentin kur nisi ndërtimin e një hoteli luksoz në zonën e Valbonës.
I bindur se ajo është zona më e bukur jo vetëm e Shqipërisë, por edhe e Europës, ai iu fut punës që një zone të tillë aq të bukur, aq piktoreske, aq tunduese e ndjellëse për turistët vendas e të huaj ti shtonte një strukturë akomodimi të denjë për nivelin e bukurisë së saj. Dhe nuk është se nuk i ka bërë mirë llogaritë e kalkulimet e biznesit. Turistët sa vijnë e shtohen në Valbonë dhe hoteli e ka padyshim të zgjidhur problemin e klientelës.
Ashtu sikurse edhe klientët që duan standart të lartë akomodimi e kanë një alternativë të tillë. Edhe problemin e financimit të një hoteli, kostoja e të cilit ka shkuar disa milionë euro e kishte të zgjidhur. Ndaj, nëpërmjet një pune të lodhshme, ku mungesa e njerëzve, mosorganizimi i duhur i kompanive kontraktuese ishin faktori kryesor i vonesës së ndërtimit të tij, më në fund erdhi dita që hoteli përfundoi.
Mirëpo, ndërsa kishte përllogaritur e parashikuar gjithcka, qoftë edhe pengesat në ndërtimin e tij, Avni Ponarin e tradhëtoi në planet si investitor dicka që as i kishte shkuar ndër mend. Dicka që do të shndërrohej në shkakun kryesor pse hoteli nuk është hapur e nuk mund të hapet, ndonëse ka përfunduar. Dhe kjo lidhet me zonën ku është ndërtuar ai.
Infrastruktura e transmetimit të energjisë elektrike në këtë zonë është e vjetëruar dhe e amortizuar ndjeshëm dhe ajo nuk garanton asgjë. Sikurse është e lehtë të merret me mend, se ikja e dritave sa herë që fillon një puhizë e lehtë ere është në kontradiktë të madhe me standartet e hotelit. Ndaj vendimi për të mos e hapur atë derisa kjo linjë të rregullohet është i detyruar dhe i arsyetuar.
Interesimit të vazhdueshëm të investitorit privat në kompaninë energjitike shtetërore për përmirësimin e infrastrukturës së rrjetit drejtues të kompanisë i përgjigjen në forma justifikuese, por aspak reaguese dhe premtuese. Vetë investitori privat ka bërë disa përpjekje për të siguruar ndonjë bashkëfinancim me ndonjë biznesmen që ka interesa në atë zonë, për të bërë privatisht investimin por nuk ka qenë e mundur as ky.
Paradoksi është se në zonën e Valbonës janë 3 hidrocentrale në punë dhe sërish zona i ka luks orët me drita. Linja është delikate dhe e pasigurtë në verë, kurse në dimër, kur fillon bora situata është e tillë që të sjell ndër mend filmin “Rrugë të bardha”. Vecse jo për linjat telefonike, por për linjat elektrike.
Kjo situatë tregon edhe njëherë se biznesmenit shqiptar i është dashur shpesh të mos bëjë plane klasike biznesi, por duhet të llogarisë në to edhe zgjidhjen e problemeve që janë detyra të shtetit. Mungesat sistematike të energjisë në zonën e Valbonës apo edhe në fshatra të tjerë të zonës është problem i hershëm dhe jo pak herë është ngritur si shqetësim nga banorët e saj.
Mirëpo duket se deri atëhere kur kompania publike përkatëse të ketë buxhetin e duhur, banorëve iu duhet të kenë marrëdhënie të ngushtë me qiriun. Kurse hoteli i Avni Ponarit do të vazhdojë të rrijë si xhevahir, por pa funksionalitet.