25 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Nis ndërtimi i hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, kosto 373 milionë euro

Qeveria ka buxhetuar ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, ndërtimi i të cilës do të nisë vitin e ardhshëm. Sipas tabelave të projektbuxhetit 2024, ndërtimi i hekurudhës 120 kilometër të gjatë do të kushtojë 39.2 miliardë lekë ose rreth 373 milionë euro. Nga këto, për vitin e ardhshëm qeveria ka parashikuar të shpenzojë 3.2 milionë euro si financim për nisjen e projektit, ndërkohë që për 2025-ën, fondi i parashikuar në buxhet rritet në 25 milionë euro.

Hekurudha Vorë-Hani i Hotit do të financohet përmes një paketë mikse donacionesh dhe kredish. Sipas faqes së projektit, 160 milionë euro do të jepen falas nga Bashkimi Europian përmes Kuadrit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të financojë 100 milionë euro kredi, ndërsa 100 milionë euro të tjera po kredi do të merren nga Banka Europiane e Investimeve.

Hekurudha

Hekurudha Vorë-Hani i Hotit është pjesë e zgjatimit të Rrjetit Kryesor të Transportit Trans-Europian TEN-T në Ballkanin Perëndimor, i cili do të lidhë Shqipërinë me rrjetet hekurudhore rajonale dhe europiane përmes Korridorit X pan-Europian.

Linja ekzistuese hekurudhore Vorë – Hani i Hotit u ndërtua në dy faza: nga Vora në Laç në fillim të viteve 1960, ndërsa nga Laçi deri në kufirin e Shqipëri-Mali i Zi, në vitin 1985.

“Infrastruktura e trasesë është përkeqësuar, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes. Shpejtësia maksimale e lëvizjes së trenave është rreth 40 km/orë, dhe në pjesë të caktuara është më e ulët se 20 km/orë. Kufizimet e shpejtësisë së trenave vijnë edhe nga kalesat e shpeshta të paautorizuara në nivel (kryqëzimet e paautorizuara me rrugët lokale),” thuhet në faqen e projektit të BERZH.

Aktualisht hekurudha është totalisht e degraduar. Sistemi i sinjalizimit, i dëmtuar gjatë periudhave të trazirave në vitet 1991 dhe 1997, pothuajse nuk ekziston. Shërbimet e transportit të mallrave lënë për të dëshiruar, me kohë udhëtimi të gjata dhe kërkesë të ulët, dhe jo të planifikuar.

“Komunikimi i stacioneve realizohet nëpërmjet radios. Si rezultat, nuk ka një sistem të kontrolluar sigurie për lëvizjen e trenave, e për pasojë rreziku i aksidenteve është i lartë. Ndërsa gjeometria e shtrirjes horizontale të hekurudhës është mjaft e mirë”, – nënvizohet në planin e ndërveprimit social-mjedisor mbështetur nga Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *