Në fillim të vitit që vjen Autoriteti Rrugor Shqiptar do të nisë punën për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës duke i dhënë zgjidhje trafikut në këtë segment dhe reduktuar ndjeshëm kohën e mbërritjes. Drejtori i përgjithshëm Ervis Berberi tha se paralelisht do të ndërhyhet edhe në rrugën e vjetër të Ndroqit, duke iu dhënë mundësinë qytetarëve që të kenë një alternativë dytësore.
I ftuar në emisionin “Box to Box”, Berberi tha se në projektbuxhetin për vitin e ardhshëm është parashikuar po ashtu nisja e fazës së tretë dhe të katërt të zgjerimit të aksit Elbasan-Qafë Thanë dhe ndërtimi i By passit të Elbasanit. Aktualisht në të gjithë vendin janë mbi 20 kantiere ndërtimi.
Vitin që vjen do të finalizohen edhe disa prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore, siç është ai i Unazës së Madhe të Tiranës si edhe Tuneli i Llogarasë, i cili do të hapet në verën e vitit që vjen. Sa i takon Rrugës së Arbërit, konkretisht ecurisë së punimeve në Tunelin e Murrizit, e konsideruar një pikë nevralgjike, kreu i ARRSH-së nuk preferoi të jap një datë për përfundimin e punës aty, por tha se ritmet janë të larta.
Me mjaft interes ndiqen edhe diskutimet sa i takon vendosjes së tarifave. Në 2016, BERZH i rekomandoi Qeverisë Shqiptare që të bëjë më pagesë 8 akse, përfshirë Elbasan-Tiranë, Rrugën e Arbërit, Tiranë-Durrës dhe Levan-Vlorë. Berberi tha se aktualisht nuk ka asnjë projekt për tarifimin e tyre dhe se vijon ti qëndrojë parimit se para çdo vendimmarje të tillë, duhet t’ju krijohet qytetarëve mundësia e akseve sekondare.
Aktualisht, me pagesë është vetëm rruga e Kombit, ndërsa tarifë do të të nisë të aplikohet edhe për autostradën Milot-Fier, duke qenë se ndërtimi i saj është marrë përsipër nga një kompani koncensionare.
Scan tv