Klodian Tomorri
Imagjinoni një skenar kështu. Dikush sjell papritur 1 milionë automjete shtesë dhe i lëshon në rrugët e Tiranës. Çfarë ndodh me kryeqytetin?
Sigurisht që kjo nuk është e vështirë për t’u imagjinuar. E gjithë Tirana do të hynte në kolaps, shërbimet publike nuk do të funksionin, jeta do të paralizohej. Por a mund të ndodhë një skenar si ky? Përgjigja është po, ndonëse në një sektor tjetër. Zëvendësoni automjetet me energjinë e prodhuar në Shqipëri dhe rrugët me linjat e transmetimit të energjisë në skenarin e mësipërm. Atëherë skenari bëhet me risk të lartë materializimi.
Vitet e fundit Shqipëria po përballet me një interes të madh për investime në ndërtimin e burimeve energjetike. Kjo prirje u përshpejtua ndjeshëm nga kriza energjetike që solli lufta në Ukrainë, e cila i rriti çmimet e energjisë në nivele të pashënuara më parë në histori.
Paralelisht qeveria shqiptare thuajse ka liberalizuar plotësisht procesin e liçensimit të burimeve të reja duke e lëshuar situatën praktikisht pa duar. Por teksa burimet e reja të energjisë shtohen me shpejtësi, kapacitetet e transmetimit mbeten të kufizuara. Pra makinat shtohen vrullshëm, ndërsa rrugët mbeten të njëjtat.
Numrat
Edhe pse prodhimi i energjisë nuk është linear, për të ezauruar 1 mega kapacitet të lirë transmetimi do të mjaftonte një burim energjetik me po 1 mega fuqi të instaluar, që prodhon në kapacitet të plotë.
Aktualisht Shqipëria ka gjithsej rreth 1 mijë mega vat kapacitet transmetimi në eksport, përmes linjave të Malit të Zi, atë me Greqinë si dhe Kosovën. Gati gjysma e këtij kapaciteti praktikisht përdoret 100 për qind nga KESH, Devolli dhe Ayeni. Pjesa tjetër mbetet për të tjerët.
Nga 500 megat e tjera që mbeten të lira, duhet të konsiderojmë se një ditë më parë, kompania franceze Voltalia njoftoi fillimin e prodhimit të energjisë në centralin diellor 140 mega të Karavastasë. Ndërkohë po Voltalia planifikon që shumë shpejt të ndërtojë një tjetër park diellor në Spitallë me fuqi 100 mega.
Besnik Leskaj, është duke ndërtuar dy parqe me 50 mega të tjera fuqi të instaluar. Ilir Shtufi, i cili ka sakaq ka ndërtuar disa centrale të vogla diellore, është duke ndërtuar një tjetër me fuqi 50 mega në Fier. Gjonaj Group shumë shpejt ka në plan të ndërtojë nja central diellor 100 mega në Ballsh, ndërsa vet KESH do të fillojë ndërtimin e një tjetri 50 mega në Belsh.
Edhe pse Shqipëria vazhdon ende të jetë vend importues i energjisë, do të mjaftonin vetëm këto burime energjetike, që sistemi i transmetimit të kolapsojë. E megjithatë nuk mbaron këtu.
Më e vështira është duke ardhur
Verën e këtij viti, qeveria shpalli fituesit e ankandeve për ndërtimin e parqeve të reja eolike me kapacitet të instaluar 220 mega. Ky proces do të pasohet nga 2 ankande të tjera, të cilat synojnë të liçencojnë deri në 1 mijë mega ose 1 giga burime të reja për energjinë e erës.
Paralelisht në prill qeveria shpalli njoftimin për të alokuar edhe 1 giga të tjera parqe diellore. Ndërkohë që sipas burimeve nga ministria e Energjisë aktualisht ka aplikime për gati 5 giga burime të reja në total.
Qeveria e ka lëshuar thuajse pa duar, procesin e aplikimit dhe miratimit të burimeve të reja energjetike, duke vendosur në pipeline projekte të cilat janë disa herë më të mëdha se sa kapacitetet e transmetimit që ka vendi.
Pra nëse në një vend që ka vetëm 1 mijë mega kapacitet transmetimi në dalje, ndërtohen 7 mije mega burime të reja prodhimi energjie, sistemi praktikisht mbytet. Është njësoj sikur në një rrugë me një kalim të përpiqen të kalojnë 7 makina njeherësh.
Një risk i madh financiar
Këtë të mërkurë, ministrja e energjisë Belinda Balluku inauguroi punimet për ndërtimin e linjës së re 400 kilovolt me Maqedoninë e Veriut. Edhe nëse ndërtohet sipas afateve, kjo linjë do të shtonte 500 mega të tjera kapacitet transmetimi në eksport për vendin.
Por edhe kjo është shumë pak në raport me burimet e reja që po ndërtohen me shpejtësi. Normalisht burimet e prodhimit të energjisë ndjekin kapacitetet e transmetimit. Në Shqipëri është duke ndodhur e kundërta. Po ndërtohen në fillim burimet, ndërkohë që kapacitete transmetimi nuk ka.
Planet e qeverisë për ndërtimin e linjave të reja me Italinë dhe rritjen e kapaciteteve me Greqinë janë ende në fazën e diskutimeve dhe do të duhen vite derisa të ndërtohen nëse çdo gjë ecën normalisht.
Në këtë situatë, Shqipërisë po i kanoset një risk jo i vogël. Ai i zënies në kurth të sistemit energjetik duke detyruar shumë nga prodhuesit që të falimentojnë për shkak të mungesës së linjave të transmetimit.
Nëse këto burime nuk do të kenë rrugë ku të kalojnë energjinë e prodhuar, do të detyrohen që të ndalojnë prodhimin shpesh. Por duke qenë se shumica e tyre janë ndërtuar me kredi nga bankat, kompanitë do të rrënoheshin financiarisht deri në faliment. Ky është kurthi që qeveria po i ngre sistemit. Dhe kështu ndodh gjithmonë, kur ajo u jepet dalldive të momentit, pa u përgatitur me parë.