Aksi rrugor Thumanë – Kashar, që është pjesë e korridorit blu do të përfundojë në qershor të këtij viti. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë inspektoi punimet në këtë segment, ku aktualisht ka nisur asfaltimi.
“Siç e shikoni tashmë ka nisur asfaltimi i rrugës Thumanë-Kashar dhe mezi presim që ky koncesion të dorëzohet këtë verë,” deklaroi Balluku gjatë inspektimit të punimeve. Rruga Thumanë-Kashar është koncesioni i parë i mirëfilltë në ndërtim rrugësh, ku risku i është lënë plotësisht koncesionarit dhe qeveria nuk merr përsipër asnjë pagesë nga buxheti i shtetit.
Kjo rrugë po ndërtohet nga kompania shqiptare Gener 2, e cila është duke e financuar me fondet e veta dhe në këmbim do të ketë të drejtën e arkëtimit të tarifës së kalimit për 35 vjet.
“Përvecse është një aks 20 kilometër i gjatë kemi të bëjmë me 11 ura dhe mbi 100 vepra të tjera arti si tombino apo kanale kulluese të ndërmjetme. Veç këtyre janë 6 nënkalime si dhe 6 mbikalime për të lejuar aksesin e komunitetit lokal. Shumë shpejt do të punohet me dy turne 12 orësh nga kompania koncesionare për të kapur afatin që kjo rrugë të jetë e gatshme për përdorim gjatë këtij sezoni turistik,” shpjegoi Evis Berberi drejtori i ARRSH-së.
Thumanë-Kashar është një autostradë e kategorisë A.
“Kjo është autostrada e parë në Shqipëri, që do të jetë e gjitha e rrethuar me gardh për të mos lejuar ndërprerjen e rrugës dhe mundësuar një shpejtësi lëvizje 130 kilometër në orë,” tha më tej Berberi.
“Të gjitha këto autostrada do të shoqërohen me rrugë dytësore, në nivelin e superstradave të cilat do të jenë pa pagesë. Pra kush do që të kalojë pa pagesë do të ketë alternativën e supestradave, të cilat do të mbahen me cilësi,” u zotua Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës foli edhe për segmentet e tjerë të korridorit blu, duke shtuar se përveç autostradës do të ndërtohen edhe rrugë alternative, pa pagesë.
Në total, korridori blu nga Miloti në Fier, ka një gjatësi prej 114 km.