Në një sipërfaqe prej 6 hektarësh, në ish-zonën ushtarake të Farkës në kryeqytet, Qeveria do të financojë ndërtimin e një qendre multifunksionale. “Expo Albania” do të jetë një hapësirë e dedikuar për evenimente, panaire, koncerte dhe takime, njeherazi edhe si strukture akomoduese pasi parashikohet të ndërtohen edhe hotele me 3 apo 4 yje. Përmes Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit është çelur, në fund të muajit dhjetor, edhe konkursi ndërkombëtar mbi idetë e projektimit.
“Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit është Autoriteti Organizues i procesit të konkursit, i cili do të zhvillohet në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 512, datë 30.08.2023 “Për ngarkimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit si organ qendror blerës për realizimin e konkursit të projektimit për projektidetë e zhvillimit të Tirana Expo, dhe për një shtesë fondi në buxhetin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, miratuar për vitin 2023” dhe në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në ligjin shqiptar për prokurimet publike,” thuhet në shpalljen e AKPT-së.
Ky është një konkurs i hapur ndërkombëtar për ide projektimi, i cili organizohet në dy faza. Në fazën 1 të aplikimit, kandidatët do të paraqesin përbërjen e ekipit, kualifikimet, metodologjinë e punës, si dhe deklaratën e vizionit të tyre për sitin, duke përfshirë një përmbledhje të konceptit paraprak. Në fazën 2, Juria do të shqyrtojë me kujdes propozimet e ekipeve të përzgjedhura dhe, bazuar në kriteret e fazës 2, do të përzgjedhë propozimin fitues.
Qendra është projektuar që të ndërtohet në ish-zonën ushtarake të Farkës, e përdorur si zonë parkimi për helikopterë. Kjo vendodhje konsiderohet një nyje e rëndësishme, pasi gjendet përgjatë unazës së jashtme të Tiranës, me një lidhje të shpejtë me aeroportin, Korridorin Blu (korridori Adriatiko-Jonian që lidh Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë), Korridorin VIII (rruga Egnatia) si dhe Portin e Durrësit.
“Disa ndërtesa akomodojnë dhe organizojnë evenimente të tilla si panaire dhe ekspozita në Tiranë. Edhe pse këto ndërtesa kanë mundësuar organizimin e disa evenimenteve të ndryshme, me rritjen e vazhdueshme të profilit dhe nivelit të Tiranës, kufizimet në kapacitetet e tyre bëhen gjithmonë e më të dukshme,” e argumenton qeveria këtë nismë.
Në shpalljen e konkursit të projektimit nuk saktësohet nëse investimi për ndërtimin e qendrës së re do të kryhet nga vet qeveria apo do të jetë një investim privat. Por fakti që në projekt parashikohet edhe ndërtim hotelesh shton dyshimet se ky do të jetë një biznes privat, mbi një tokë shtetërore në një nga zonat më të lakmuara të Tiranës.
Qendra do të përfshijë disa salla ekspozimi, konferencash dhe mbledhjeje, auditorë si dhe të gjitha hapësirat e nevojshme mbështetëse, teknike dhe të magazinimit. “Duhet të projektohet për të qenë e gatshme të akomodojë ekspozita, panaire dhe evenimente që mbulojnë një gamë të gjerë sektorësh, si: ai i ndërtesave, ndërtimit, inxhinierisë, prodhimit, pasurive të paluajtshme, menaxhimit, shëndetit, mjekësisë dhe farmaceutikës, shtëpive, kopshteve, dhuratave, kozmetikës, bukurisë, të dhënave, IT dhe teknologjisë, energjisë, automobilistikës, transportit, medias dhe kontentit, kulturës ‘pop’, lojërave elektronike, shtypshkrimit dhe paketimit, sigurisë dhe mbrojtjes, sportit dhe mirëqenies, udhëtimit dhe turizmit”, theksohet ndër të tjera në dokument. “Expo Albania” do të jetë qendra më e madhe në kryeqytet, duke tejkaluar kapacitetet e Pallatit të Kongreseve si edhe të dy qendra të tjera të ngjashme, të ndërtuara nga kompani private.