Ditën e sotme është hapur Ankandi Fotovoltaik Hibrid 300 MW, një tjetër burim për prodhimin e energjisë së gjelbër. Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka bërë me dije se dita e fundit për dorëzimin e ofertave do të jetë 17 Maj dhe më pas do të shqyrtohen nga ekspertët deri më 10 Korrik 2024.
“Sot, quhet dita e parë, e cila do të zgjasë deri më 10 Korrik, që do të jetë afati përfundimtar i daljes së fituesve të kësaj gare. Ofertuesit kanë kohë deri më 17 Maj për paraqitjen e ofertave. Ankandi i quajtur “hibrid”, i quajmë ato ankande ku shteti shqiptar është i gatshëm të blejë energjinë e prodhuar nga këto ankande. Në ankande, ne kemi angazhuar dhe asete publike, ndërkohë në ankandin e sotëm, shteti blen energjinë dhe është detyrë e ofertuesve që të marrin masa për truallin dhe gjithçka tjetër”, u shpreh Balluku.
Kapaciteti minimal 10 megavat orë, maksimali 100 megavat orë, duke i dhënë mundësinë që pjesë e këtij ankandi të jenë 3 entitete. Pjesëmarrësit mund të marrin pjesë edhe përmes projekteve të ndryshme. Çmimi maksimal i pranueshëm 59,97 Euro për megavat orë, ky çmim që ka dalë nga të gjitha analizat që kemi bërë, bazuar në ankandet e mëparshme. Ky do të jetë ankand me transparencë të plotë, kompanitë do të kenë suport për të marrë informacionin e duhur dhe të përgatiten siç duhet që të kemi respektim të afateve. Ankandi nis menjëherë në këto momente” tha Balluku.