30 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Sterilizimi, Ilir Rrapajt i sekuestrohen dy kompani

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për sekuestrimin e 40% të kuotave të kompanisë përfituese të koncesionit të sterilizimit, “Sani Service”, që përbëjnë pjesën dominuese të shoqërisë nën zotërimin e një pronari të vetëm. Kuotat zotërohen nga “Investital Llc”, në pronësi të biznesmenit Ilir Rrapaj.

Gjithashtu, janë sekuestruar edhe 100% të kuotave të shoqërisë “Globalsher” nën pronësi po të Rrapajt dhe dy llogari bankare të kësaj firme në një bankë të nivelit të dytë, me balancë përkatësisht 285,412,48 Euro dhe 113,610.93 Lek.

Urdhri i sekuestros së SPAK

Nën sekuestro kanë përfunduar edhe 13 automjete të “Globalsher” shpk, nga të cilat 3 të marra me qira dhe 9 në pronësi të kësaj firme, si dhe një apartament nën pronësi të së njëjtës shoqëri.

Përmes “Globalsher”, Rrapaj ka përfituar shuma të konsiderueshme si nënkontraktore e firmës koncesionare.

Vendimet e gjykatës për sekuestro janë ekzekutuar më 2 dhe 6 shkurt.

Ilir Rrapaj u arrestuar gushtin e vitit të kaluar për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda, në bashkëpunim, për procedimin penal për koncesionin e sterilizimit të lidhur mes “Sani Service” dhe Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Ilir Beqaj. Bashkë me të u vu në pranga edhe ish ish-zëvendësmistri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj. Të dy janë në qeli nën masën e sigurimit arrest me burg.

Hetimet gati 3-vjeçare të kryera nga SPAK kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini. Referuar hetimeve, vlera e koncesionit që llogaritet rreth 100 milionë euro, është fryrë fiktivisht me 56 mln euro, që deri më tani, prokuroria nuk e ka zbuluar se në xhepat e kujt kanë shkuar.

Lidhur me çështjen, nën hetim me masën e detyrim paraqitjes është edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Opozita ka denoncuar publikisht me këtë akuzë Beqaj po amnistohet pasi sipas tyre, përfshirja e tij në këtë aferë është shumë më e thellë.

Ndërkohë, 6 zyrtarë e ish-zyrtarë të tjerë janë nën masa më të lehta sigurie.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *