27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore

A është Belinda Balluku ministrja më e dështuar e qeverisë?

Nga Boldnews.al

Sa më të mëdha projektet, aq më e madhe propaganda dhe po aq më të mëdha dështimet. Kjo është sinteza e aktivitetit politik dhe institucional të zv.kryeministres dhe njëkohësisht Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Balluku iu bashkua kabinetit “Rama 2” në janar 2019, duke marrë postin e Ministres së Infrastrukturës, pas largimit të Damian Gjiknurit, një prej njerëzve më të fuqishëm të kupolës socialiste. Në korrik të vitit 2022, ajo mori edhe pozicionin e zv.kryeministres, duke pasuar një tjetër figurë të rëndësishme, Arben Ahmetajn, e shkarkuar dhe të “syrgjynosur” politikisht.

Pavarësisht posteve të rëndësishme qeveritare, Belinda Balluku tregoi se nuk është shkëputur nga roli i ekspertes së Marrëdhënieve me Publikun, një punë që e ka bërë vite më parë në Bashkinë e Tiranës, kur ajo drejtohej nga Edi Rama.

Nëpërmjet qasjes së një “zëdhënëse” që fryn realitetin, Balluku gjatë gjithë periudhës si ministre, ka premtuar projekte gjigande, të ngjashme me “lugën e floririt” që iu servir shqiptarëve në vitet e para të komunizimit.

Dhe, njëlloj si ajo “luga e floririt” që pritet të vijë kushedi se kur, edhe projektet madhore të prezantuara nga Balluku, ndoshta do të vijnë pas shumë dhjetra-vjeçarëve.

Po cilët janë këto projekte, të prezantuara me bujë, me kosto miliarde euro dhe që nuk po u duket fundi.

Anijet “Tigra”

Në janar të vitit 2022, Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ishte “kumbara” e marrëveshjes mes Korporatës Eletroenergjitike Shqiptare (KESH) dhe bashkimit të operatorëve “Excelerate Energy” & “Renco”, për marrjen me qira të dy anijeve që prodhonin energji elektrike.

Kjo marrëveshje u justifikua me krizën e pritshme energjitike pas sulmit të Rusisë mbi Ukrainën.

Kur kanë kaluar më shumë se dy vjet, “Tigrat” e Ballukut nuk kanë prodhuar asnjë kilovat energji. Por, nga ana tjetër, kanë djegur dhjetra milionë euro për qira dhe karburant.

Në foto: Anijet-TEC “Tigrat”

Kontrata parashikon që KESH i paguan çdo ditë 90 mijë dollarë qira, nga të cilat 60 mijë dollarë shkojnë për “Excelarate” dhe 30 mijë dollarë shkojnë për “Renco”. Në total, fatura e qirasë shkon 68 milionë euro.

Nga ana tjetër, KESH merrte përsipër blerjen e naftës për vënien në punë të anijee-TEC, për një vlerë prej 100 milionë dollarë, si edhe një shpenzim tjetër 8 milionë dollarë vetëm për depozitimin e naftës.

I gjithë ky projekt rezultoi një dështim spektakolar, pasi “Tigrat” nuk dhanë asnjë efekt në përmirësimin e situatës energjitike, përveçse hodhën në ajër rreth 200 milionë dollarë.

TEC-i i Vlorës

Ndërtimi i Termocentralit (TEC) të Vlorës ka nisur punimet shumë kohë para se Belinda Balluku, madje edhe Rama nuk kishte ardhur në pushtet. Megjithatë, gjatë 10 viteve të qeverisjes së “Rilindjes”, përtej premtimeve të shumta, vepra publike ende nuk është publike.

Natyrisht, në radhën e “premtuesve” nuk mund të mungonte Balluku, e cila, me qëndrim bindës, ka dhënë herë pas here afate të ndryshme për vënien në funksionim të TEC-it.

Në foto: Termocentrali i Vlorës

Në Mars 2022, Belinda Balluku deklaroi në studion “Opinion” të Blendi Fevziut se “TEC-i i Vlorës do të fillojë nga funksionimi shumë shpejt, brenda disa muajve.

Pasi kaluan disa muaj, Balluku u shfaq sërish në një takim me gazetarët, në Shtator 2022, ku premtoi se TEC-i i Vlorës do të nisë nga funksionimi në vitin 2023.

Për vonesat në përfundimin e punimeve, Balluku, ashtu si çdo rilindas tjetër, e gjeti “fajin tek Saliu”, kur deklaroi se “nuk është në gjendje pune, për shkak të problematikave të shfaqura që nga viti 2012”. Pra, në vitin 2023, Balluku u justifikua me problematikat e 11 viteve më parë.

Aktualisht, TEC-i i Vlorës nuk është ende në funksion.

Rruga e Arbrit

Në 29 nëntor 2019, Edi Rama dhe Belinda Balluku vendosën të organizonin “dy gëzime” në një ditë për banorët e Dibrës-festën e Çlirimit dhe hapjen e Rrugës së Arbrit.

Dy njerëzit e fuqishëm të qeverisë u pritën me tupana, këngë e valle në Dibër, pasi ato sollën sihariqin e hapjes së Rrugës së Arbrit.

Ky aks rrugor është shumë i rëndësishëm për lidhjen e Veri-Lindjes së Shqipërisë me pjesën tjetër të vendit.

Por, përtej tupanave dhe festave me këngë e valle popullore, Rruga e Arbrit nuk përfundoi as në 2019 dhe, nuk ka përfunduar ende edhe sot.

Në foto: Rama dhe Balluku inaguruan rrugën e papërfunduar të Arbrit

Belinda Balluku, si ministrja përgjegjëse për infrastrukturën rrugore, ka gjetur vit pas viti justifike për vonesat në punime.

Kontrata e rrugës së Arbrit ishte parashikuar për t’u dorëzuar në prill 2022, por qeveria mori vendim për t’a shtyrë këtë kontratë me 17 muaj të tjerë, afat që përfundoi me 20 shtator të vitit 2023.

Ndërtimi i kësaj rruge u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 40 miliardë lekë (330 milionë euro)

Nafta e Shpiragut

Në janar të vitit 2024 përfundoi afati i “lajmit të jashtëzakonshëm” që dha para kohe Belinda Balluku për përfundimin e testeve naftë-nxjerrëse në zonën e Shpiragut.

Në gusht të vitit të kaluar, Ministrja e Energjitikës, në krah të kryeministrit Edi Rama, deklaroi me bindje se kompania “Shell” do të përfundonte testet “në dhjetor 2023, maksimumi në janar 2024”.

Në foto: Rama dhe Balluku japin “lajmin e jashtëzakonshëm” për testet në Shpirag

Ndërkohë, nga “Shell-i” nuk kishte pasur asnjë njoftim të tillë dhe, siç rezultoi më vonë, as afati i përmendur nga Balluku nuk u plotësua.

Rama dhe Balluku e përmendin shpesh si arritje të qeverisë së tyre punimet naftënxjerrëse në zonën e Shpiragut, ndërkohë që është tërësisht e paqartë llogari kosto-përfitim për qytetarët shqiptarë.

HEC Skavica

Në janar të vitit 2023, Ministrja Belinda Balluku foli sërish me bindje se, deri në nëntor të atij viti, do të hapej kantieri për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës.

Skavica, i parashikuar me një kosto rreth 500 milionë euro konsiderohet nga Balluku si “projekti më sfidues dhe më i mrekullueshëm që kemi për të krijuar pavarësi nga importet”.

Qeveria shqiptare kontraktoi kompaninë amerikane “Bechtel” për të kryer studime dhe për të bërë propozime për digën.

Në foto: Balluku dhe ish-ambasadorja amerikane, Yuri Kim, në përurimin e nisjes së punimeve të HEC Skavica

Projekti është kundërshtuar fuqishëm nga banorët e zonës dhe organizatat mjedisore, pasi paraqet rreziqe të larta për të gjithë zonën.

Megjithatë, sërish afati i prezantuar nga Balluku nuk u përmbush. Madje, projekti mori së fundmi një goditje të lehtë nga Gjykata Kushtetuese, e cila konstatoi se qeveria, e përfaqësuar nga Balluku në këtë rast, ka shmangur tërësisht transparencën dhe konsultimin publik, dy elementë shumë të nevojshëm për projekte të tilla.

Aksi Qukës-Qafë Plloçë

Punimet për aksin Qukës-Qafë Plloçë kanë nisur para se në pushtet të vinte Rilindja. Afati i përfundimit të saj ishte parashikuar viti 2018. Megjithatë, për shkak të problematikave, afati i dorëzimit të rrugës ishte prilli 2021.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, në varësinë e Belinda Ballukut, kërkoi shtyrje të afatit të punimeve deri në prill 2021.

Në foto: Balluku në “rrugën që nuk mbaron kurrë”, Qukës-Qafë Plloçë

Edhe ky afat nuk ishte i mjaftueshëm dhe u kërkua sërish shtyrje deri në dhjetor 2022. Kërkesa për shtyrjen e afatit u mbështet nga Ministrja Belinda Balluku, e cila kërkoi ndërhyrjen e Ministrisë së Financave.

Kur kanë kaluar më shumë se një vit nga plotësimi i afatit përfundimtar për dorëzimin e rrugës, aksi Qukës-Qafë Plloçë vijon të jetë një kantier ndërtimi, të cilit nuk i duket fundi.

Hekurudha Tiranë-Durrës

Tirana është qyteti i vetëm europian, por ndoshta edhe ndër të paktët në botë, që nuk ka një linjë hekurudhore.

Në tetor të vitit 2020, Ministria e Infrastrukturës, e drejtuar nga Balluku, njoftoi se “pas një procesi të gjatë tenderimi u bë edhe shpallja e kompanisë fituese që ishte italiania INC S.P.A . Kjo e fundit do të bëjë rehabilitimin e lidhjes hekurudhore 34.2 km midis dhe qytetit të Durrësit si dhe ndërtimin e rreth 5 kilometrave të linjës së re hekurudhore midis Tiranës dhe Aeroportit të Rinasit”.

Gjithsej kostoja totale e projektit është 92.1 milionë euro, nga të cilat 35.5 milionë euro grant mbulohet nga Kuadri i Investimeve i Ballkanit Perëndimor (ËBIF) dhe 36.9 milionë euro është i mbuluar nga kredia e BERZH, ndërsa pjesa e mbetur do financohet nga qeveria shqiptare.

Në foto: Ministrja Balluku dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në gjurmën e hekurudhës Tiranë-Durrës

BERZH njoftoi se kohëzgjatja e kontratës do të ishte 30 muaj, pra punimet do të zgjasnin 2 vite e gjysmë. Edhe ministrja e  Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në ceremoninë e zhvilluar në datën 3 shkurt 2021, ku u nënshkrua zyrtarisht dhe kontrata mes palëve bëri të njejtën deklaratë.

Kur kanë kaluar afatet e parashikuara, hekurudha Tiranë-Durrës ende nuk ka përfunduar. Balluku deklaroi pak kohë më parë se projekti do të përfundojë gjatë vitit 2024. Situata e punimeve në terren nuk është aq shpresëdhënëse sa e paraqet Ministrja e Infrastrukturës.

Me shumë mundësi, në një kohë më të vonë gjatë këtij viti, Balluku do të shfaqet sërish në publik për të deklaruar shtyrjen e afateve të punimeve, njëlloj siç ka vepruar me të gjithë veprat madhore të prezantuara prej saj gjatë mandatit si Ministre e Infrastrukturës.

Ps. Titulli eshte i Kapitali.al.

Titulli origjinal i Boldnews: Nga “Tigrat” tek Hekurudha dhe Skavica/ Dështimet qindra miliona euro të Ballukut   

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *