28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Varoufakis: Ballkani po shkretohet, shqiptarët dhe grekët po bëhen si vendasit e Hawaiit

Ekonomisti dhe politikani atipik, Yanis Varoufakis ka folur në podcastin e Ditmir Bushatit, “Public Square”.

Që të dy ish-ministra, që të dy të majtë, janë bërë bashkë në një bisedë që të ndez shumë pyetje për kohën ku po jetojmë dhe punojmë.

Varoufakis vjen me teza shkundëse, për atë që shohim çdo ditë, por nuk e kemi përkthyer apo analizuar. Si për të majtët dhe po aq edhe liberalët. Për disa gjëra që njerëzit shpresojnë tashmë është shumë vonë në epokën digjitale, ose atë që e quan Varoufakis tekno-feudalizmi i botës së re.

Kudo që ne klikojmë, në çdo platformë dorëzojmë të dhënat tona dhe për këtë nuk ka më shpresë.

Por si ndodh kjo?

“Inteligjenca Artificiale do të sjellë punë të reja, por më shumë do të zhdukë vende pune”, thotë Varoufakis. Nëse dikur Henri Ford, Coca-Cola apo McDonald’s u bënë pushtet i madh falë reklamës tek njerëzit, duke nxitur tek shoqëria dëshira që s’e dinin që i kishin, sot është krejt tjetër, me makinën përpara, teknologjinë dhe App-et. Nëse atëherë procesi ishte i një kahu tani është me dy kahe.

Varoufakis thotë se inteligjenca Artificiale është një triumf i shpirtit njerëzor. E dua shumë thotë atë, por në fund është pesimist për të ardhmen dhe se kush do ta ketë pronësinë mbi të. Kush?

Në këtë episod flitet edhe për Shqipërinë dhe Greqinë.

Shkëputur nga biseda:

Ditmir Bushati: Mendova se do të thoshit që ngjasojmë pak me Kaliforninë (California) apo me Silicon Valley…

Yanis Varoufakis: Pak si Hawaii sepse ne jemi pak si vendasit e Hawaii-t. Ata po i zhvendosin gjithnjë e më shumë, po i zhvendosin nga bregdeti, që është plot me hotele me pesë yje. Vendasit jetojnë në qendër të ishullit, në lagje të varfëra. Në orën gjashtë të mëngjesit, furgonët shkojnë në fshatra, në lagjet e tyre, i marrin e i çojnë tek hotelet me pesë yje, ku turistët japonezë, gjermanë, amerikanë, në këto hotele në pronësi të japonezëve, amerikanëve dhe gjermanëve, kalojnë një kohë të mrekullueshme, dhe vendasit shkojnë aty për të pastruar banjat, gatuar ushqimin, kënduar këngë vendase dhe luajtur në kitarrë dhe pastaj i kthejnë në lagjet e tyre të varfëra.

Kjo është ajo që po i ndodh Ballkanit. Kjo është ajo që po na ndodh neve, sepse nuk ka asnjë investim për inteligjencën artificiale, nuk ka asnjë investim për teknologjinë e gjelbër, nuk ka asnjë investim. Dhe çdo inteligjencë artificiale që po përdoret, po përdoret për të shterruar më tej çdo punë me cilësi që kemi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *