28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

NAREA: Çmimet e banesave pritet të rriten me 8 për qind këtë vit

Shoqata Shqiptare e Sektorit Imobiliar thotë se ccmimet e apartamenteve pritet të rriten me një mesatare nga 5 deri në 8 për qind këtë vit. Reinaldo Pipiria drejtori ekzekutiv i kësaj shoqate deklaroi se trendi i rritjes së ccmimit të banesave pritet të vazhdojë edhe gjatë këtij viti.

Më shumë se 40 mijë transaksione janë regjistruar përgjatë vitit që lamë pas, pjesa më e madhe prej tyre në Tiranë dhe në zonat përgjatë vijës bregdetare. Gati 1/3 e kërkesës për të investuar në pasuri të paluajtshme ka qenë kryesisht nga emigrantët, përfshirë këtu edhe shtetasit e huaj, jo rezident në Shqipëri.

I pyetur nëse ka një periudhë “të artë” për të blerë një banesë apo një apartament, drejtori i NAREA deklaroi në Tv Scan se 6 mujori i parë i vitit konsiderohet periudha më e mirë për të investuar, nisur nga fakti që i paraprin sezonit veror dhe mund të shfrytëzohet edhe për t’u dhënë me qera.

Prej më shumë se tre vitesh, çmimet e apartamenteve kanë njohur rritje. Megjithatë, në gjykimin e ekspertëve ka ende zona të cilat ofrojnë një çmim ekonomik, të përballueshëm për xhepat e qytetarëve. Bëhet fjalë për zonat në të cilat kalon Unaza e madhe e Tiranës apo Bulevardi i ri, të cilat shihen me perspektivë zhvillimi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *