Shqipëria renditet e 90-ta për nga fuqia ushtarake në listën e 145 vendeve të botës. Renditja është bërë nga instituti, “Global Firepower”, i cili vlerëson kapacitetet luftarake, numrin e trupave ushtarake, financat, teknologjinë e artilerisë dhe aftësitë logjistike.
Sipas të dhënave të indeksit, Shqipëria ka gjithsej 19 avionë, por asnjëri prej tyre nuk përdoret për stërvitje, misione ushtarake apo për sulme.
Ndër 6 vendet e rajont, Shqipëria renditet e dyta pas Serbisë dhe lë pas të gjitha vendet e tjera në hartën e Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, inaugurimi i bazës në Kuçovë si dhe dronët “Bayraktar”, të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e avancuar, janë një sinjal pozitiv në fushën e mbrojtjes në Shqipëri. Këto investime pritet të përmirësojnë pozitën e vendit në indeks mes vendeve të botës.
Sipas indeksit, Shqipëria renditet e 113-ta mes 145 vendeve në total për buxhetin e mbrojtjes. Fondi i mbrojtjes këtë vit arrin në 500 milionë dollarë, me një rritje të ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme.
5 vite më parë, shpenzimet e buxhetit të mbrojtjes ishin 0.7% e PBB-së, ndërsa këtë vit arrijnë në 1.8%, sinjal që tregon se Shqipëria po forcon ushtrinë dhe po përmbush detyrimin e NATO-s për të rritur shpenzimet në nivelin 2% të PBB-së.