27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Inflacioni zbret në 2.6 për qind/ Pas dy vitesh e gjysmë rritja e çmimeve kthehet më në fund brenda objektivit ligjor

Rritja e çmimeve është ngadalësuar ndjeshëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti. Instituti i Statistikave raportoi se në shkurt inflacioni në Shqipëri zbriti në 2.6 për qind, që do të thotë se krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar çmimet e mallrave dhe shërbimeve në treg janë mesatarisht 2.6 për qind më të larta.

Kjo është hera e parë në 2 vjet e gjysmë që inflacioni kthehen në objektivin ligjor të Bankës së Shqipërisë, që është niveli 3 për qind. Që nga tetori i vitit 2021, Shqipëria u përball me një dallgë masive të rritjes së çmimeve, e cila u shumëfishua nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022. Kjo bëri që rritja vjetore e çmimeve të kërcente deri në 8.5 për qind për muaj të caktuar.

Tendenca në rënie
Pasi u reduktua në 3.4 në janar, nga 4% që u mbyll 2023-shi, inflacioni zbriti në 2.6% në shkurt.

Rënia e inflacionit është ndikuar kryesisht nga rënia e çmimeve në tregjet europiane, por edhe forcimi i lekut ndaj euros, që zbut çmimet e mallrave të importuar nga BE. Edhe në Eurozonë, inflacioni për shkurtin rezultoi 2.6 për qind sa në Shqipëri, duke shtuar pritshmëritë se Banka Qendrore Europiane do të fillojë më në fund të lehtësojë politikën monetare.

Ndërsa në Shqipëri, rënia e inflacionit shmang rrezikun që Banka e Shqipërisë të rrisë më tej normën bazë të interesit, sic ishte rekomanduar nga FMN. 

Por shtrenjtohen ushqimet dhe turizmi
Sipas INSTAT, inflacioni në muajin shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,96 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,45 pikë përqindje.

Një tjetër grup me ndikim në rritjen e çmimeve ishte ai i “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, të cilat kontribuan me +0,35 pikë përqindje.

Në terma vjetorë, rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 4,9 %, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 4,7 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,8 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,7 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,5 %, “Veshje dhe këpucë” me 3,4 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,7 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,4 %, “Shërbimi arsimor” me 2,2 %, “Shëndeti” me 1,9 % dhe “Komunikimi” me 0,3 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 1,6 %.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *